Eriona, si ta shijojë publiku!
Eriona Kakeli, aktorja e re, gjen punë në Teatrin Kombëtar vetëm pasi është larguar Rajmonda Bulku. Pas gati 10 vitesh eksperiencë me regjisorët më me përvojë të teatrit, emri i Erionës nuk është dilematik; nëse e meriton atë vend pune. Roli i gruas maniake të pastërtisë te shfaqja “Të gjithë me huqe” me regji të Gëzim Kames, e ka impenjuar aktoren për të goditur me të parën dhe për t’i bërë përshtypje publikut
Eriona Kakeli, e diplomuar në vitin 2001 dhe mbasi ka interpretuar në shfaqje, si: "Monologët e vaginës", regji të Altin Bashës, "Dashuri në furgon" (2001), regjia Altin Basha dhe Gazmend Gjoka, tek "Ëndërr hipopotami" (2007) regji të Genc Gjinecit (2007), "Letër fëmijës së palindur kurrë" të Alfred Trebickës (2008), "Kolonel Zogu" po e Trebickës (2009) - aktorja punësohet në Teatrin Kombëtar dhe merr njëkohësisht rol, duke zëvendësuar aktoren Rajmonda Bulku. Por eksperienca e Kakelit është edhe në film me rolin e Arianës tek "Letra ere" i Edmond Budinës dhe me rolin e Rinës tek "Kronikë provinciale" të Artan Minarollit.
I nevojashëm prezantimi për këtë aktore, për të kuptuar pse është zgjedhur të luajë në komedinë “Të gjithë me huqe”, me regjisor Gëzim Kamen. Në fakt komedia po bën 10 muaj që nga premiera e saj, ku pjesë e saj ka qenë edhe aktorja Rajmonda Bulku, por me angazhimet e saj politike ajo hoqi dorë nga aktrimi duke ia lënë vendin aktores së re, Eriona Kakeli. Aktorja e cila më parë ka qenë pjesë e Teatrit të Elbasanit, flet për rolin e saj të parë dhe emocionet e Teatrit Kombëtar. Ajo e cilëson veten me fat që është përzgjedhur për të zëvendësuar Rajmonda Bulkun dhe që i jepet mundësia që të luajë me aktorë si Viktor Zhusti apo Roland Trebicka.
Çfarë ka ndikuar në rrugën tuaj drejt aktrimit?
Drejt aktrimit ka qenë dëshira, pasioni, mbështetja e familjes dhe natyrisht puna ime. Gjithçka ka ndikuar që unë të jem këtu.
Cilin nga rolet tuaja keni më për zemër?
Nuk mund t’i ndash. Të gjitha kanë veçantinë e tyre, nuk është se kam një të preferuar. Megjithatë, rolet psikologjike më pëlqejnë shumë.
Cili është ai rol që nuk e keni luajtur por do të donit ta luanit?
Janë shumë. Sa ka vepra të pavëna në skenë apo që nuk kam luajtur unë, aq janë edhe rolet që do të doja të luaja. Për aktorin gjithmonë një rol i ri është një sfidë.
Ju keni rolin e një maniakeje të pastërtisë. Sa ju përshtatet juve ky rol, që vjen pak më vonë se aktorët e tjerë të komedisë?
Nuk ishte shumë e vështirë, po ta mendosh se çdo femër punët e shtëpisë i ka merak. Ky është ekstremi, në këtë rast. Gjithsesi, vështirësi janë, sepse kam pasur shumë pak kohë, ndërsa të gjithë të tjerët e kanë pasur gati shfaqjen.
Komedia titullohet “Të gjithë me huqe”. A mendoni se ka njeri pa një “huq”?
S’e besoj. Mendoj se është diçka që lind me njeriun. “Huq” nuk do të thotë që je i marrë, i çmendur, pasi kështu i bie që të ishim të gjithë të marrë, por që gjithsecili ka huqet e veta, kjo është normale. Është një grup fantastik. Unë e kam ndier veten shumë mirë.
A keni ndonjë “huq”?
Nuk është se kam ndonjë huq. Ajo që kam, janë më tepër “teka”. Futem tek personat tekanjozë për sa i përket pjesës sime, që gjërat të bëhen ashtu siç dua unë.
Çfarë do të thotë për ju të luash në Teatrin Kombëtar?
Tani kam filluar punë në Teatrin Kombëtar, është roli i parë në këtë skenë.
Sigurisht që çdo teatër ka të veçantën e tij. Të mendosh që je koleg me ikonat e teatrit është një mendim sa i bukur, aq edhe i sikletshëm. Të jesh për krah tyre, të luash me ata, është shkollë më vete.
Keni zëvendësuar aktoren Rajmonda Bulku. A ndiheni ndopak në konkurrencë me të?
Absolutisht jo. Unë e kam parë shfaqjen kur e ka luajtur Rajmonda dhe ndiej njëfarë sikleti kur e mendoj se njerëzit do të të krahasojnë. Janë dy karaktere të ndryshme, qoftë në jetë, qoftë në skenë. Ia lë publikut përshtypjet e para, ai është që vendos.