Shiroki Brijeg mbërrin në Tiranë

Boshnjakët e Shiroki Brijeg tashmë kanë mbërritur kryeqytetin shqiptar pas një udhëtimi gati dhjetë orë me autobus. Kundërshtarët e Partizanit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA u akomoduan në hotel "Eklips" në periferi të Tiranës. Ditën e martë, më 30 korrik, trajneri Ivan Katalinic do të japë një konferencë për shtyp në ambientet e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" (ora 10:00), ndërsa në mbrëmje pas stërvitjes njohëse, klubi i Partizanit do të japë edhe një darkë protokollare për drejtuesit më të lartë të klubit boshnjak.
Takimi Partizani-Shirok Brijeg do të drejtohet nga gjyqtarë holandezë me kryesor Bas Nijhuis (ndihmesa: Brink e Langkamp). Delegat i UEFA-s është hungarezi Berzi, ndërsa vëzhgues i gjyqtarëve rumuni Grigoresku.
Partizani barazoi ndeshjen e parë në Bosnjë (0-0) dhe i ka të gjitha shanset të kalojë në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA.