E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin fakte të reja për vrasjen e Shpëtim Cupës



ITALI - Policia italiane publikoi të dhëna në lidhje me hetimet që po zhvillohen për vrasjen e emigrantit shqiptar Shpëtim Cupa, 44 vjeç, në një parking lokali pak ditë më parë. Viktima, që është qëlluar me një armë të kalibrit 7,65 mm në sheshin “Kopakabana” (Copacabana), rezulton të ketë një dosje me precedentë kriminalë në Itali. Policia është duke i hetuar precedentët penalë të viktimës me qëllimin për të identifikuar vrasësin e 44-vjeçarit pas dyshimeve se ekzekutimi duhet të jetë një hakmarrje, në mos një larje hesapesh që lidhet me aktivitete kriminale.
Sipas policisë, Shpëtim Cupa rezulton të ketë qenë i dënuar me 1 vit e gjysmë burg në vitet ‘96-‘99 për shfrytëzim prostitucioni. Emri i Shpëtim Cupës rezulton, sipas policisë, edhe në hetimin që po zhvillohej për vrasjen e shtetases shqiptare Violeta Halla, 19 vjeçe, e vrarë në prill 1996. Viktima i vrasjes në Breshia hetohej gjithashtu edhe për gjymtimin e shtetases S. Eufemia, këmba e majtë e së cilës ishte gjetur larg trupit të viktimës. Hetuesit e policisë kanë shoqëruar edhe pronarin e një makine “Volkswagen Golf”, i cili ishte parkuar natën e krimit pranë makinës së Shpëtim Cupës, “BMW X5”, por ai ka rezultuar se nuk ka lidhje me krimin.

Strehoi të kërkuarin, pranga 25-vjeçarit
LAÇ - Strehoi dhe ndihmoi një person që kërkohej nga policia, vihet në pranga 25-vjeçari. Policia e Laçit bën të ditur se ka arrestuar Bashkim Gjergjndreajn, banues në Fushë-Mamurras, ndërsa i shpalluri në kërkim është 23-vjeçari Roland Mamli, banues në fshatin Zhejë të Kurbinit. Ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesave të dy personave me inicialet P. L. dhe N. L. në qytetin e Laçit. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe gjatë këqyrjes janë fiksuar pesë vrima plumbash në katin e dytë të banesës si dhe shtatë të tjerë jashtë tyre. Ndërkaq, në rrugën para banesës janë gjendur dhe sekuestruar tetë gëzhoja model 56, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kurbinit për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.
Drogë dhe armë, pranga Sulejmanit

DURRËS – I gjenden drogë dhe armë, vihet në pranga Pëllumb Sulejmani. Policia e qytetit bregdetar njofton se gjatë kontrollit në banesën e tij kanë gjetur rreth 76 gramë heroinë, e cila ishte e ndarë në 21 doza dhe ishte gati për shitje. Por atij ju gjet dhe 1 pistolete model 54 e kalibrit 7.62 mm. 1 krehër pistolete model 54 dhe 13 fishekë pistolete model 54. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dyshohet së Pëllumb Sulejmani ushtronte aktivitetin e shpërndarjes së lëndës narkotike heroinë në lagjen 12 të qytetit bregdetar. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet për veprat penale të “prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake” do t’i kalohen për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Arrestohen dy shqiptarët e arratisur dy javë më parë

GREQI – Arrestohen dy shqiptarët e arratisur nga burgu i Rodosit dy javë më parë. Sipas burimeve lokale, dy emigrantët shqiptarë, Berti Tabaku dhe Nderim Disha u kapen në zonën malore Lardhu të ishullit. Nga drejtoria e policisë së zonës u mësua se të arratisurit nuk bën rezistencë. Ata iu dorëzuan forcave të rendit që i kishin rrethuar sapo agjentet i bën thirrje të mos i rezistonin arrestimit. Dy të arrestuarit u dërguan në spitalin rajonal të Rodosit, ku po ekzaminohen pasi shfaqën shenja anemie dhe ftohjeje për shkak të kushteve të këqija të jetesës gjatë këtyre ditëve që ndodheshin në arrati.

Plagosi të riun, në pranga autori

DURRËS – Plagosi të riun, arrestohet 48-vjeçari. Naim Qerimi është vënë në pranga nga policia e Durrësit pasi dyshohet se rreth orës 19:25 të datës 24.02.2010, në lokalin e shtetasit A. P., gjatë një konflikti të çastit ka goditur me thike në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda shtetasit Xh. K. 25 vjeç. Sipas njoftimeve të policisë, i riu ndodhet në Spitalin e Durrësit në kujdesin e mjekëve. Uniformat blu janë duke hetuar për të zbardhur shkaqet që e shtynë Qerimin të qëllonte me thikë mbi të riun. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Durrësit.

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›