E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klasa IX, Tafaj vendos datat e zhvillimit të Provimeve të Lirimit



Jonida Tashi

Dalin datat e zhvillimit të Provimeve të Lirimit, për nxënësit e klasës së nëntë në të gjitha shkollat e vendit. Në të njëjtën ditë me vendosjen e datave të provimeve të Maturës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka përcaktuar dje datat e Provimeve të Lirimit, për klasën e nëntë. Për këtë arsye, Tafaj ka firmosur udhëzimin “Për përfundimin e vitit shkollor 2009-2010 dhe për zhvillimin e Provimeve të Lirimit në sistemin e arsimit parauniversitar”. Sipas këtij udhëzimi, viti mësimor 2009–2010, për klasën e nëntë të arsimit bazë, do të përfundojë në datën 1 qershor 2010 dhe duhet të llogaritet me 34 javë mësimore.
Datat
Provimi i parë i Lirimit për klasën e nëntë, që është ai i lëndës Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar, do të zhvillohet në datën 7 qershor 2010. Dy javë pas këtij provimi, nxënësit e klasës së nëntë do t’i nënshtrohen provimit të dytë dhe të fundit të Lirimit, në lëndën Matematikë, i cili do të zhvillohet në datën 19 qershor 2010. Për Provimet e Lirimit, sikurse edhe për ato të Maturës, do të ketë sesion të dytë provimesh. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, lëndët dhe datat e Provimeve të Lirimit, në sesionin e dytë, për nxënësit mbetës janë: Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar 1 shtator 2010; Matematikë 6 shtator 2010. Lidhur me mbarëvajtjen e zhvillimit të Provimeve të Lirimit, ministri Tafaj ka përcaktuar masat që duhet të merren nga institucionet përkatëse për këtë proces. Kështu, sipas udhëzimit të kreut të Arsimit, drejtoritë arsimore rajonale, zyrat arsimore dhe drejtoritë e shkollave, duhet të marrin të gjitha masat që viti mësimor 2009-2010, për klasat e nënta të mbyllet sipas programit dhe me nota përfundimtare për çdo lëndë, brenda datës 2 qershor 2010, duke shfrytëzuar orët në dispozicion.
Konsultimet
Para zhvillimit të Provimeve të Lirimit, të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend, duhet të konsultohen nga mësuesit përkatës. Sipas urdhrit të nxjerrë dje nga Ministria e Arsimit, “Për organizimin e konsultimeve në shërbim të nxënësve të klasës së nëntë në arsimin bazë”, ministri Tafaj urdhëron që konsultimet të bëhen si më poshtë. Fillimisht drejtoria e shkollës duhet të afishojë në këndin “Provimet e Lirimit” grafikun e konsultimeve, për secilën nga lëndët e provimeve, së bashku me emrin e mësuesit që i zhvillon. Konsultimet për lëndët e Provimeve të Lirimit do të zhvillohen në bazë klase. Grafiku i konsultimeve ka vlerë deri në përfundimin e shkollës, pastaj do të zëvendësohet me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve përpara provimeve. Në grafikun e parë, përpara përfundimit të shkollës, me secilën klasë duhet të zhvillohen dy orë konsultim në javë, një në Letërsi dhe një në Matematikë. Në grafikun e dytë, përpara ditëve të provimit, me secilën klasë duhet të zhvillohen 5 orë konsultime për Gjuhën dhe 8 orë konsultime për Matematikën. Orët e konsultimeve duhet të llogariten në ngarkesën vjetore të mësuesit. Drejtoritë arsimorë dhe zyrat arsimore rajonale duhet të monitorojnë punën e drejtorive të shkollave, për zhvillimin e konsultimeve në shërbim të nxënësve të klasës së nëntë në arsimin bazë.

Procedurat e zhvillimit të Provimeve të Lirimit
Përveç përafrimit të mënyrës së zhvillimit të Provimeve të Lirimit me ato të Maturës edhe struktura e tezës për provimet e klasës së nëntë do të jetë e ngjashme me atë të maturantëve. Ndryshimi i vetëm qëndron në faktin se teza për Provimet e Lirimit do të jetë pak më e shkurtër si sasi pyetjesh. Ajo do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat mendohet që 10 të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim, pak a shumë sikurse teza e provimeve me zgjedhje që jepet në Maturën Shtetërore. Provimet do të bëhen vetëm me shkrim. Dy veçantitë kryesore të përfshira në rregulloren për zhvillimin e Provimeve të Lirimit janë: administrimi dhe vlerësimi i jashtëm i punimeve të nxënësve dhe punime të sekretuara. Specialistët që do të merren me hartimin e testeve të Provimeve të Lirimit nuk do të izolohen si në rastin e provimeve të Maturës. Po ashtu, edhe korrigjimi i testeve për Provimet e Lirimit nuk do të bëhet sipas praktikës së ndjekur për provimet e Maturës, në katër qendra të mëdha vlerësimi në të gjithë vendin, por në qendrat e ngritura në drejtoritë arsimore rajonale në çdo rreth. Ekipi i vlerësuesve të punimeve do të caktohet nga mësuesit më të mirë të rrethit, po nga drejtorisë arsimore rajonale përkatëse. Provimet e nxënësve, që i takojnë juridiksionit të një zyre arsimore rrethi dhe një drejtorie arsimore rajonale, do të mblidhen dhe do të korrigjohen në një qendër vlerësimi të përcaktuar prej Drejtorisë Arsimore Rajonale, sikurse edhe Matura Shtetërore. Ndryshimi i vetëm është se nëse në Maturën Shtetërore të gjitha punimet grumbullohen fillimisht në Tiranë dhe më pas shpërndahen në katër qendra, në Provimet e Lirimit, punimet e çdo rrethi mblidhen në qendrën e ngritur pranë tij.

Teza do të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit
Teza për Provimet e Lirimit do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend. Përveç përgatitjes së rregullores së re për Provimet e Lirimit, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të hartojë edhe modelin e testit. Drejtuesit e AVA-s sqarojnë se është menduar që teza të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit. Testi, pas përgatitjes nga specialistët e AVA-s, do të shpërndahet në drejtoritë arsimore rajonale dhe në zyrat e arsimit nëpër rrethe. Kurse mësuesit që do të angazhohen gjatë ditëve të zhvillimit të provimit, pra administratorët e provimit nuk do të jenë nga shkolla ku do të bëhet provimi, por do të këmbehen me njëri-tjetrin. Do të ketë një përgjegjës administrimi për çdo mjedis provimi, sikurse edhe në Maturën Shtetërore. Punimet e nxënësve do të jenë të sekretuara, me mënyra më të thjeshta se ato të Maturës Shtetërore. Megjithëse nuk do të përdoren bar-kode për sekretimin e testeve të provimit, mbi këto të fundit dhe në fletën e regjistrimit, do të vendoset një numër regjistrimi i mbyllur, i cili do të hapet vetëm pasi të mbaroj korrigjimi. Pikët që nxënësit do të marrin në provim do të identifikohen nga numrat përkatës, që ata do të kenë në teste.

Urdhri për organizimin e konsultimeve
1. Drejtoria e shkollës afishon në këndin “Provimet e Lirimit” grafikun e konsultimeve për secilën nga lëndët e provimeve së bashku me emrin e mësuesit që i zhvillon.
2. Konsultimet për lëndët e Provimeve të Lirimit zhvillohen në bazë klase.
3. Grafiku i konsultimeve ka vlerë deri në përfundimin e shkollës, pastaj zëvendësohet me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve përpara provimeve.
4. Në grafikun e parë, përpara përfundimit të shkollës, me secilën klasë të zhvillohen dy orë konsultim në javë, një në Letërsi dhe një në Matematikë.
5. Në grafikun e dytë, përpara ditëve të provimit, me secilën klasë të zhvillohen 5 orë konsultime për Gjuhën dhe 8 orë konsultime për Matematikën.
6. Orët e konsultimeve të llogariten në ngarkesën vjetore të mësuesit.
7. DAR/ZA të monitorojnë punën e drejtorive të shkollave, për zhvillimin e konsultimeve në shërbim të nxënësve të klasës së IX në arsimin bazë.

Datat e Provimeve të Lirimit
Provimet e Lirimit për klasën e nëntë do të zhvillohen:
Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar 7 qershor 2010
Matematikë 19 qershor 2010
Sesioni i dytë
Lëndët dhe datat e Provimeve të Lirimit në sesionin e dytë për nxënësit mbetës janë:
Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar 1 shtator 2010
Matematikë 6 shtator 2010

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›