Financimi i laboratorit të ADN-së, Ministria e Brendshme barazon euron me paundin
Thimi Samarxhiu
TIRANË – Duket se tashmë kalvaret e Drejtësisë shqiptare në dyert e laboratorëve të vendeve fqinje për analizat e ADN-së janë drejt fundit. Që prej ditës së djeshme, të gjitha testet e ekspertizave të policisë do të bëhen në Shqipëri. Ambasada Britanike, në kuadër të projektit “Për modernizimin e Policisë Shkencore Shqiptare”, i ka dorëzuar ditën e djeshme Ministrisë së Brendshme pajisjet për testin e ADN-së.
Ambasadorja britanike, Fiona MecIlwham, u shpreh gjatë ceremonisë së djeshme se testi i ADN-së është tashmë një mjet shumë i fuqishëm në arsenalin e policisë shkencore, por mbetet shumë për të bërë për të ndërtuar një kapacitet tërësisht funksional të testimit të ADN-së. Por duket se vetë Ministria e Brendshme, e cila është dhe përfituesja kryesore nga ky projekt, nuk është në dijeni të datës së saktë dhe vlerës reale të këtij projekti. Kjo gjë konstatohet pas ballafaqimit të dy njoftimeve të lëshuara nga Ambasada Britanike dhe Ministria e Brendshme, ku diferenca e shifrave të shpenzuara në këtë projekt është rreth 500 mijë euro.
Projekti
Prej disa vitesh, Mbretëria Britanike ka financuar në projekte të shumta për modernizimin e aparaturave të Policisë shqiptare, për qëllimin e vetëm, siç u theksua dhe nga vetë ambasadorja britanike, për të pasur një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm dhe transparent që e kërkon BE-ja dhe që e meriton populli shqiptar.
Laboratori i analizave të ADN-së është një ndër projektet më të frytshme dhe më efikase për Policisë shqiptare, pasi falë këtij laboratori, krimet e kryera dhe të mbetura ende pa autor do të zbardhen më shpejt dhe nuk do të duhet të priten më përgjigjet nga shtet fqinj.
Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, pasi vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes strukturave të zbatimit të ligjit të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, theksoi se vlera reale e këtij investimi është më e rëndësishme se ajo monetare, pasi ajo ndihmon në ngritjen e kapaciteteve të Policisë Shkencore për luftimin më me efektivitet të krimit në Shqipëri. Peka shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të vijuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes agjencive ligjzbatuese shqiptare e britanike. Programi i mbështetur financiarisht nga Mbretëria e Bashkuar “Për modernizimin e Policisë Shkencore Shqiptare” i menaxhuar nga policia e kontesë së Esseksit, Angli, përveç investimeve në sisteme, pajisje e mjete teknike, ka përfshirë edhe trajnimin e specialistëve të sektorëve të ndryshëm të Institutit të Policisë Shkencore për përdorimin me efikasitet të metodave dhe aparaturave moderne.
Mospërputhja
Ndoshta është thjesht një lapsus nga ana e zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, por një lapsus me vlerë 500 mijë euro.
Ky fakt është konstatuar pas bërjes publike të njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, në të cilën thuhet: “Programi ‘Për modernizimin e Policisë Shkencore’ ka filluar në vitin 1998 dhe është përmbyllur në dhjetor 2009. Investimet për realizimin e këtij programi llogariten në rreth 4 milionë euro”. Por, në njoftimin e Ambasadës Britanike thuhet se kjo shifër është 4 milionë paund britanikë. Një tjetër mospërputhje midis deklaratave të dy institucioneve ka të bëjë dhe me datën e saktë të nisjes së këtij projekti, pasi sipas Ambasadës, ekspertë nga Policia britanike në Eseks kanë punuar me partnerët shqiptare që nga viti 1997, por sipas Ministrisë, ky projekt ka nisur në vitin 1998 dhe është përmbyllur në dhjetor 2009.
Analizat e ADN-së
Gjatë viteve të fundit, analizat e ADN-së kanë qenë çelësi i zbardhjes së një sërë veprash korminave në botë. Edhe në Shqipëri nuk kanë qenë të paktat rastet kur Akuzës dhe Policisë i janë dashur të kërkojnë ndihmën e shteteve të tjera për kryerjen e analizave të ADN-së mbi gjurmë të gjetura në vendngjarje. Një ndër rastet më të njohura është ai i Lavdërim Tufës, i akuzuar si vrasësi i Mirit të Xhikes. Gjatë gjykimit të parë të Lavdërim Tufës te Krimet e Rënda, një ndër pikat më të nxehta të gjykimit ishte debate mbi analizën e AND-së të një fijeje floku të gjetur në një maskë të hedhur pranë vendngjarjes. Sipas analizave gjenetike të kryera nga një eksperte britanike, fija e flokut e gjetur në maskë korrespondonte mbi masën 90 për qind me AND-në e të pandehurit Tufa. Ndërsa vetë Tufa e kundërshton këtë gjë, duke kërkuar dhe njëherë ribërjen e kësaj analize në Britani. Por ka pasur dhe raste të shumta ku autorët janë identifikuar nga pështyma ose pikat gjakut të gjendura në vendngjarje krimesh.
26 Shkurt 2010