Përmbytjet intensifikohen, Shtabi i Emergjencave jep alarmin për evakuim
Ervin KOÇI
Përmbytjet në zonën e Shkodrës si pasojë e shkarkimit të ujit nga kaskada e Drinit, kanë nisur të intensifikohen. Situata është paraqitur sërish e rënduar, njësoj si pak javë më parë gjatë muajit janar 2010, duke bërë që Shtabi i Emergjencave Civile të japë alarmin dhe të kërkojë evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Kjo gjë është kërkuar dje publikisht nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Genc Ruli, pikërisht gjatë mbledhjes së Shtabit, duke pohuar se zonat më të goditura këtë herë janë ato të Shkodrës. “Aktualisht, rezultojnë të jenë 3600 hektarë tokë të përmbytura në fshatrat Dajç, Ana e Malit, Velipojë dhe Bushat në zonën e Shkodrës”,- deklaroi ministri lidhur me përmbytjet në Shkodër. Ai siguroi banoret se, strukturat e emergjencës janë në gatishmëri për të evakuuar banorët, por edhe gjënë e gjallë në rast se kjo do jetë e nevojshme. “Zona më e ekspozuar dhe që rrezikon më shumë mbetet sërish ajo e Nën-Shkodrës, ku edhe argjinaturat, në një pjesë të mirë të tyre janë të dëmtuara dhe ende të pariparuara nga përmbytja e muajit të kaluar. Strukturat dhe sistemet e mbrojtjes në zonën e rrezikuar janë dëmtuar që në janar",- u shpreh Ruli. Sipas tij, më i rëndësishëm është parandalimi i erozionit, por atje ku dëmtimet kanë ndodhur paraqitet emergjente ndërhyrja. “Në Korçë për shkak të çarjes së pjesshme të argjinaturës dhe fryrjes së Devollit kemi përmbytje në zonën e ish-Kënetës”,- tha më tej Ruli. Ai vuri në dukje se vihet re edhe një rritje e nivelit maksimal të ujit në disa lumenj, si Devolli dhe Osumi.
Ushtria nis operacionet
Forcat ushtarake kanë zbarkuar dje sërish në Shkodër për të përballuar situatën nga përmbytjet. Vetëm në zonën e operacionit janë përqendruar 192 forca ushtarake, 17 mjete transporti të rënda, si edhe 2 fadroma, 2 ekskavatorë, një vinç që do të shërbejë për rindërtim të argjinaturave apo përforcimin e tyre. Rreth 13 motobarka dhe 4 barka janë mjetet që ushtria ka në dispozicion për të përdorur në çdo moment për të evakuuar banorët nga ndonjë zonë e mundshme e izoluar nga uji. Nën komandën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, që drejton edhe operacionin, janë edhe tre helikopterë që do të lëvizin me urdhrin e tij sipas nevojave të mundshme. Dje u evakuuan rreth 100 veta në fshatin Renc, në komunën Guri i Zi. Ndërsa ushtria ngriti 2 kampingje me 30 çadra për banorët e fshatit Suka të Dajçit dhe të Pentarit. Gjithashtu në mbështetje të operacioneve gjatë përmbytjeve në Shkodër është në dispozicion dhe batalioni i Këmbësorisë Malore, pjesa më e madhe e mjeteve të Brigadës së Mbështetjes Rajonale dhe Logjistike, si dhe mjete e trupa të batalionit të Policisë Ushtarake.
Fierza hap portat
KESH-i hapi dje pas mesnate edhe portat e shkarkimit në hidrocentralin e Fierzës, në përpjekje për të ulur kuotën e ujit poshtë pikës kritike, ku shkoi brenda pak ditësh, si pasojë e reshjeve të mëdha. Të dhënat zyrtare të KESH-it tregojnë se niveli i ujit në basenet e HEC-eve mbi Drin mbeten në kuotat maksimale, këtë herë edhe më të mëdha se sa ato të muajit të kaluar që shkaktuan përmbytjet masive në zonën e Nen-Shkodrës. Sipas KESH-it, dje deri në mesditë Fierza ndodhej në kuotën e 293.94 metrave, me tendencë të vazhdueshme rritjeje, ndonëse sipas Korporatës, dje në mesditë është arritur të ndalet rritja e mëtejshme e nivelit të ujit në këtë HEC. Prurjet në liqen janë 900 metër kub/sekondë dhe Korporata po shkarkon rreth 550 metër kub ujë përmes portave të emergjencës. Në Vaun e Dejës që është edhe pika fundore e kaskadës, janë rikthyer sërish shkarkimet në nivele të larta. Sipas të dhënave të mesditës, në këtë HEC po shkarkohej rreth 1500 metër kub ujë në sekondë, nga të cilat 1250 përmes portave të emergjencës dhe 250 nga turbinat që prodhojnë energji. Krahasuar me shkarkimet maksimale të janarit, derdhjet aktuale janë më të vogla, por gjithçka do të varet nga situata hidrike në ditët në vijim. Nëse reshjet do të vazhdojnë shkarkimet do të jenë më të mëdha, duke paralajmëruar një tjetër përmbytje masive në Shkodër.
Uji “pushton” Shkodrën
Harta e tokës së pushtuar nga ujërat në zonën e Nën-Shkodrës po zgjerohet me shpejtësi. Ndërsa nga portat e HEC-it të Vaut të Dejës vijojnë shkarkimet me ritme të larta ujërat përveç rrugës nacionale në zonën e quajtur harku i Bërdicës janë duke u zgjeruar më tej në Kuç, Vukatanë, Ashtë, lagjet Ajasem dhe Bahçallëk. Në Obot të komunës Ana e Malit, në Dajç, Daragjat, etj., duket se uji po ndjek të njëjtën hartë vërshimi ashtu si dhe gjatë muajit janar. Banoret e zonave që po përmbyten ende nuk e kishin marrë veten nga vala e parë e ujit, po detyrohen që të përballen me një tjetër situatë përmbytjesh. Disa prej banorëve nisën të largohen me gjithë gjënë e gjallë nga zona duke e ditur se shumë shpejt uji do hynte në tokat dhe banesat e tyre.
Situatë kritike edhe në Korçë, përmbytje në Maliq
Situata është kritike edhe në Maliq të Korçës. Sipas shifrave zyrtare janë rreth 3 mijë hektarë tokë sipërfaqe e përmbytur në të gjithë zonën. Pjesa më e madhe është tokë bujqësore, duke i shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm fermerëve të Maliqit. Reshjet e dendura të shiut në këto ditë kanë shtuar dhe prurjet e lumit Devoll. Sipas autoriteteve prurjet janë në nivele kritike dhe si pasojë e tyre është dëmtuar një pjesë e argjinaturës në afërsi të fshati Sheqeras. Mësohet se ende nuk ka nisur puna për riparimin e argjinaturës, pasi pritet që fillimisht të ulet niveli i ujit në lumin Devoll. Përmbytjet në këtë zonë kanë nisur prej disa ditësh, ndërkohë që fermerët ankohen se u janë dëmtuar pjesa më e madhe e të mbjellave.
26 Shkurt 2010