Kriza dhe mungesa e perspektivës në vend, emigrantët detyrohen ti rishesin pronat
Ervin KOÇI
Kriza ekonomike në vendet ku punojnë, si dhe pakësimi i të ardhurave për jetesën e përditshme, ka detyruar shumë emigrantë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ti rishesin pronat e blera. Bëhet fjalë kryesisht për prona të patundshme si shtëpi, dyqane, apo dhe toka të blera për qëllime investimi, të cilat në muajit e fundit janë nxjerrë në sitje nga agjencitë imobiliare në qytetet kryesore, të cilat u përkasin emigrantëve. Agjentët e shitjeve të agjencive imobiliare, tregojnë për gazetën “Albania” se arsyet e këtyre shitjeve janë të ndryshme, por ato lidhen kryesisht me dy probleme kryesore. Së pari, emigrantët kanë bllokuar një sasi të konsiderueshme parash me pronat e patundshme në Shqipëri, dhe duke qenë aktualisht në vështirësi ekonomike prej shkurtimit të vendeve të punës, të të ardhurave, apo rritjes së nivelit të jetesës në vendet ku jetojnë e punojnë, ata po kërkojnë ti riheshin në përdorim këto para “të ngrira” të investuara vite më parë në vend. Arsyeja e dytë, sipas ekspertëve imobiliar lidhet dhe me ndryshimin e planeve që ka një pjesë e emigrantëve për të mos u kthyer më në Shqipëri, të shtyrë edhe nga pasiguria e përmirësimit të situatës ekonomike në vend. Kjo gjë ka bërë që sidomos në dy vitet e fundit, emigrantët jo vetëm që kanë “rrudhur dorën” e shpenzimeve të tyre kur kanë ardhur në Shqipëri qoftë edhe për pushime, por ata kanë nisur që të investojnë gjithmonë e më pak në sektorin imobiliar.
Situata
Emigrantët, sipas ekspertëve imobiliar, jo vetëm që nuk po blejnë më apartamente si më parë, por po nxitojnë t’i shesin edhe ato që kanë blerë. Bumi i pesë viteve të fundit duket se po bie ose më mirë “po shfryhet” si një tollombaze, për shkak të kërkesës së ulët për prona të paluajtshme. Emigrantët po sjellin më pak të ardhura në Shqipëri, duke ndikuar te tregu imobiliar. Agjenci të ndryshme në Tiranë por edhe në qytete të tjera raportojnë për një situatë krize në këtë sektor. Përfaqësuesit e agjencive imobiliare thonë se, tregu po hyn në krizë të vërtetë, me pak shitje dhe kryesisht veprime për qira. “Ajo që të bën përshtypje është fakti se, pavarësisht kërkesës së lartë për të shitur apartamentet e blera në vitet e fundit, emigrantët nuk para negociojnë për çmimin, në mënyrë që tregu të kishte një zhbllokim”,- thotë një ekspert pronash.
Kriza
Viti 2009 reflekton krizën më të madhe për emigrantët, pasi ekonomitë e vendeve ku punojnë kanë pësuar tkurrje të zhvillimit. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga emigrantët kanë pësuar ulje më të paktën 6.2 për qind. Deri në nëntëmujorin e parë 2009, emigrantët kanë sjellë në Shqipëri rreth 580 milionë euro, ose gati 45 milionë euro më pak se një vit më parë. Edhe pse tregu imobiliar është i dyndur me oferta për shitje apartamentesh (sidomos në dy muajt e fundit), kërkesa vjen gradualisht duke u ulur. Shkak është mungesa e parasë, kryesisht e ndikuar nga emigrantët, të cilët ishin shtylla kryesore e furnizimit të tregut me kërkesa për prona të paluajtshme. Tani po ndodh e kundërta. Pronat e blera pa hesap gjatë viteve të lulëzimit ekonomik kanë dalë në shitje. Ekspertët gjykojnë se, ndryshimi i kursit erdhi për shkak të vështirësive financiare që po kalojnë individët, kryesisht familjet, e nxitur edhe më shumë nga ideja për të qëndruar përfundimisht në emigrim.
Çmimet
Përveç mungesës së parasë, tjetër shkak që i lë pronat stok të pa shitura janë çmimet e larta. Ajo që vihet re nga agjencitë imobiliare është fakti se çmimet vijojnë të jenë të larta, por me një ndryshim: kanë frenuar së rrituri. “Ndërsa situata po përkeqësohet, firmat e ndërtimit për shkak të vështirësive financiare nuk e shikojnë të favorshme që të bëjnë ndryshime në çmimet e apartamenteve që tregtojnë, pasi nuk do të justifikonin koston që ka pasur ndërtimi i tyre”,- shprehet një nga punonjësit e agjencive imobiliare. Këto të fundit nuk përcjellin aspak optimizëm për situatën e krijuar në treg dhe shprehen se e vetmja gjë që po ndihmon agjencitë të mbijetojnë janë qiratë, të cilat pavarësisht çmimeve të larta, kanë një kërkesë të lartë nga qytetarët.
26 Shkurt 2010