OSSH nis ndërpret energjinë në 167 institucione shtetërore debitore
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u ndërpreu dje energjinë elektrike 167 subjekteve buxhetore dhe jo-buxhetore në vend. Aksioni u përqendrua në 9 qytete të vendit, si Tirana, Durrësi, Kukësi, Korça, Elbasani, Berati, Fieri, Burreli dhe Shkodra. Në listën e debitorëve figuronin qendra shëndetësore, spitale, ambulanca, shkolla, kopshte fakultete, konvikte, zyra përmbarimi, zyra tatim taksash, qendra kulture, komuna e bashki, si dhe komisariate policie. Në listë nuk mungojnë madje as selitë e partive politike kryesore në vend siç është ajo e Partisë Demokratike në qytetin e Kukësit, apo selia e Partisë Socialiste në Tropojë. Rekordin në këtë listë e zuri qyteti i Kukësit në të cilin dje iu ndërpre energjia elektrike 63 subjekteve. OSSH-ja paralajmëroi debitorët se nëse nuk paguajnë detyrimet që kanë ndaj kësaj kompanie, do t'u hiqet energjia elektrike nga ora 09:00- 13:00, operacion i cili filloi dje me ndërprerjen e energjisë në subjektet e sipërpërmendura. Borxhet qe kjo kompani ka trashëguar nga periudha e paraprivatizimit kapin shifrën e 28 miliardë lekëve, prej të cilave 3.2 miliardë janë borxhe nga subjekte jo-buxhetore dhe 1.3 miliard nga subjekte buxhetore.
Financimi spanjoll, përurohet nënstacioni 110/20 kv në Fier
Nën një ceremoni të veçantë, është përuruar dje përfundimi i punimeve të projektit “Transmetim, shpërndarje energjisë elektrike për qarkun Fier”, ku përfshihet ndërtimi i një nënstacioni të ri 110/20 kv pranë TEC-it të Fierit. Në përbërje të tij do të jenë 2 transformatorë me fuqi 40 MV/A. Në ceremoninë e përurimit të kësaj vepre, ishin të ftuar ministri i Energjetikës, Dritan Prifti së bashku me presidentin e “Iberdrola Inxhineri & Ndërtim”, Ramon De Miguel, ambasadori spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobio, si dhe punonjës e specialistë të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë, të cilët prenë shiritin e përurimit të këtij nënstacioni. Ky projekt u financua nga fonde koncesionare spanjolle. Pas realizimit të tenderit nga qeveria shqiptare, projekti u fitua nga kompania spanjolle e lartpërmendur, ndërsa financimi i këtij projekti është bërë i mundur nga një marrëveshje e qeverisë shqiptare dhe qeverisë spanjolle, vlera e të cilit ishte 6.587.561 euro. Data e fillimit të projektit ishte 2 janari i vitit 2008, në një kohë që ai përfundoi më 2 korrik 2009. Ministri Prifti tha se, “nënstacioni i ri elektrik do të sigurojë përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me energji”.
26 Shkurt 2010