E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin listat e 113 ish-ushtarakëve që u lidhet pensioni

Përfituesit i përkasin kategorisë së pensioneve suplementare të pleqërisë, si dhe pensioneve të parakohshme. ISSH, po ashtu bën të ditur se pensionet për përfituesit e radhës janë kaluar në llogaritë e qendrave përkatëse paguese, ndërkohë që ata u përkasin qyteteve të ndryshme të vendit, si Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, Shkodër, Lezhë.

 Procesi i llogaritjes së pensioneve për ish-ushtarakët që i përkasin kategorisë suplementare, para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë, ka nisur që prej muajve të fundit të vitit 2011.  Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Deri më tani, sipas të dhënave nga ISSH, janë caktuar rreth 50% e pensioneve suplementare për pensionet e reja të pleqërisë, për ata që janë liruar para datës 30.06.1991.

Kategoria për të cilën procesi i përllogaritjes së përfitimeve po shkon drejt përfundimit është ajo e pensioneve të parakohshme.  Ndërkohë, ISSH dhe organet e saj vartëse në të 12 DRSSH-të po vijojnë punën për llogaritjen dhe dhënien e përfitimeve për të gjitha ato kategori ushtarakësh që janë subjekt i ligjit nr.10142. Sipas drejtuesve të ISSH-së, me këtë ligj janë vënë në kushte përfitimi jo vetëm ushtarakët apo familjarët e tyre, kur ushtarakët ndërpresin karrierën, por janë vënë në përfitim të pensionit suplementar të ushtarakut dhe ata ushtarakë, të cilët për efekt të moshës janë në pension pleqërie.

Kështu, sipas të dhënave nga ISSH, nga data e fillimit të zbatimit të ligjit deri më tani janë llogaritur, rillogaritur e janë vënë nën pagesë 4100 pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe 4000 pensione suplementare. /Start/

                                                                                             2012-04-03 12:00
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›