E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin notat e Letërsisë, në Tiranë vetëm 60 dhjeta

 

Dalin notat e provimit të letërsisë. Maturantët e rretheve pritet të njihen me rezultatet vetëm sot, ndërsa në gjimnazet e Tiranës ato u afishuan dje pasdite. Deri në orën 15.00 në Drejtorinë Arsimore nuk kishin ardhur ende të dhënat. Pasi zarfet mbërritën u njoftuan drejtuesit e shkollave, të cilët tërhoqën listat e emrave. Nota 7 dhe 8 mbizotëronte në pjesën më të madhe të shkollave të mesme të kryeqytetit. Krahasuar me vitin e kaluar nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes rezultateve. Ndërsa nota 9 është marrë nga më shumë nxënës këtë vit, ata të vlerësuar me notën dhjetë bëhen a s’bëhen 60 vetë. Po t’i referohesh të dhënave të gjimnazeve më në zë i pari në listë renditet “Qemal Stafa”. Në këtë shkollë janë marrë plot nëntëmbëdhjetë nota maksimale. Tek “Petro Nini Luarasi” me notën dhjetë janë vlerësuar 11 nxënës. Më dobët se vitin e kaluar ka dalë gjimnazi “Sami Frashëri”. Edhe pse mbahet si ndër më të fortët e Tiranës, vetëm 6 nxënës në këtë shkollë janë vlerësuar maksimalisht. Shumë dobët ka dalë gjimnazi “Çajupi”, ku është marrë vetëm një dhjetë dhe mbizotërojnë notat 5 dhe gjashtë. Me nota mesatare janë vlerësuar edhe nxënësit e shkollave të tjera. Por nga sa bëjnë me dije burime të sigurta nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, në rang republike rezultatet janë më të ulëta se ato të vitit të kaluar. Kjo, ndonëse niveli i testit nuk kishte ndonjë ndryshim të madh sa i përket vështirësisë. Gjithsesi, bilanci pritet të bëhet publik pas disa ditësh, kur AVA të përfundojë analizën e rezultateve. Nëse nuk janë të kënaqur maturantët kanë katër ditë kohë për të depozituar ankesën pranë komisionit të maturës shtetërore të shkollës së tyre. Sa i përket përgjigjeve të matematikës ato pritet të dalin pas një jave. Paskësaj në datë 10 korrik maturantët do të japin provimet me zgjedhje. Në këtë mënyrë e mbyllin ciklin e provimeve të maturës shtetërore. Formulari A2 me anë të së cilit do të përzgjidhen dhjetë preferencat e shkollës së lartë pritet të shpërndahet në të gjitha shkollat në fund të qershorit. Brenda afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit kandidatët për në shkollat e larta duhet ta plotësojnë dhe ta dorëzojnë pranë shkollave ku kanë kryer studimet. Faza e fundit për ta është llogaritja e pikëve gjatë korrikut dhe më tej shpallja e fituesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›