Ilir Kumbaro kërkon lirimin
Armand Bajrami
Ilir Kumbaro, njëri nga të akuzuarit e dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda, do të qëndrojë në “arrest me burg” edhe pse avokatët e tij pretendojnë se kjo masë është e paligjshme. Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi dje kërkesën e dy avokatëve mbrojtës të Kumbaros, që kërkuan shuarjen e kësaj mase sigurie për klientin e tyre, masë e caktuar më 18 shkurt të vitit 2003 nga Gjykata e Tiranës. Kumbaro, ish-drejtues në Shërbimin e Fshehtë Informativ, aktualisht i arrestuar në Londër, është i vetmi nga tre të bashkëpandehurit i cili vazhdon të ketë këtë masë sigurie nga drejtësia shqiptare. Avokatët argumentuan dje se vendimi i vitit 2003 për masën e sigurisë e kishte humbur fuqinë dhe për rrjedhojë duhet të deklarohej e shuar nga Gjykata. Ndërsa prokurori i çështjes tha se për shkak të faktit që masa “arrest me burg” për Kumbaron nuk është ekzekutuar, për rrjedhojë ajo nuk është shuar. Në vendimin e ndërmjetëm, gjykata tha se i pandehuri Ilir Kumbaro po gjykohet në mungesë dhe gjykata çmon se ai po i fshihet drejtësisë. Sipas kryesuesit të seancës, avokatëve të të pandehurit Kumbaro nuk u është dhënë tagër personalisht nga i pandehuri që të kërkojnë shuarjen e masës së sigurisë. Kjo, sipas gjykatës, pasi dy mbrojtësit ligjorë janë përzgjedhur nga familjarët e të pandehurit Kumbaro dhe jo drejtpërdrejt nga ai.
KERKESA
Kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë ndaj Ilir Kumbaros, u lexua në seancën e djeshme në ngarkim të katër ish-sekretëve, të akuzuar për rrëmbimin e zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, si edhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Sipas avokatëve të zgjedhur nga djali i Kumbaros, Ervin Kumbaro, organi i akuzës kishte vepruar me dy standarde në caktimin e masave të sigurisë për katër të pandehurit e çështjes. Në kërkesën e tyre, avokatët qartësonin se caktimi i masës së sigurisë në 18.02.2003 e ka humbur fuqinë kur dosja në ngarkim të tyre është pushuar me një vendim të datës 01.07.2004. Në vijim, një vendim i Prokurorit të Përgjithshëm në vitin 2006 prishi vendimin e prokurorisë së kryeqytetit për pushimin e dosjes dhe vendosi rifillimin e hetimeve, duke ia kaluar për kompetencë hetimi Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas avokatëve, në këtë pikë prokuroria ka vepruar me dy standarde, pasi për Kumbaron nuk është kërkuar masë e re sigurie, por është pohuar se për të vazhdon të jetë në fuqi masa e caktuar në vitin 2003. “Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi është bërë kompetente për hetimin e çështjes me vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm, duhet të kërkonte, nëse do ta shihte të nevojshme, caktimin e masës së sigurimit edhe për Ilir Kumbaron, sikundër ka kërkuar dhe për të pandehurit e tjerë Sefgjini dhe Koldashi”, thuhej në kërkesën e avokatëve.
Gjyqi, dëshmojnë dy ish-shijaksit
TIRANE – Dy ish-punonjës të shërbimit të fshehtë kanë dëshmuar dje në procesin gjyqësor të dosjes “Remzi Hoxha” te Krimet e Rënda. Të thirrur në seancë si dëshmitarë të kërkuar nga organi i akuzës, ata mohuan çdo njohje me Remzi Hoxhën. Maliq Xheka, ish-inspektor vëzhgimi në një nga degët e SHIK në kryeqytet në vitet `92-`97 tha se baza e vëzhgimit drejtohej nga Avni Koldashi. “Grupet e vëzhgimit përbëheshin nga tre veta. Në vëzhgim vepronim me pseudonime. Në përfundim raportonim tek eprori jonë, edhe aty me pseudonim”, tha Xheka. Sipas tij, anëtarëve të grupit të vëzhgimit nuk u lejohej të takonin objektivin dhe as të shoqëronin persona. Xheka tha para gjykatës se ai nuk e njihte Remzi Hoxhën dhe se nuk ka marrë pjesë në mbikëqyrjen e tij. Ndërsa dëshmitari Zyber Shehu, ish- nënoficer informacioni në SHIK-un e Lushnjës, deklaroi para gjykatës se ata nuk shoqëronin persona dhe se nuk kishte pasur të tillë në Lushnje. “E deklaroj me përgjegjësi të plotë, tha dëshmitari, se gjatë kohës që unë punoja në shërbim, nuk ka pasur të shoqëruar në ambientet e SHIK-ut”. ar.ba
“Të dorëhiqet prokurori i zhdukjes së Hoxhës, dha mendim për çështjen”
TIRANE – Avokatët mbrojtës të Ilir Kumbaros, Bledar Fejzo dhe Vojo Bregu kërkuan dje dorëheqjen e prokurorit Xhevat Hana, nga çështja penale në ngarkim të katër ish-drejtuesve të SHIK. Sipas mbrojtësve ligjorë të Kumbaros, kërkesa e tyre për dorëheqjen e përfaqësuesit të akuzës, ka lidhje me pozicionin që ka pasur prokurori në kohën kur është denoncuar rrëmbimi dhe zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. “Duke qenë me detyrën e Inspektorit pranë Avokatit të Popullit, mbi ankesën e të afërmve të Remzi Hoxhës, keni studiuar dhe grumbulluar materiale në ngarkim të të pandehurve dhe së fundi i keni kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, shfuqizimin e vendimit të pushimit të çështjes dhe të vendimit të pezullimit për veprat penale, për të cilat kanë qenë akuzuar”, thuhej në kërkesë. Në këtë mënyrë, sipas avokatëve Fejzo dhe Bregu, prokurori Hana ka dhënë këshilla dhe mendime mbi objektin e procedimit. Ndërsa në vijim ka qenë prokurori Hana, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ka kërkuar rifillimin e hetimit. Sipas mbrojtësve të Kumbaros, për shkak të kushteve të mësipërme, prokurori duhet të kishte hequr dorë nga hetimi dhe tashmë nga gjykimi. Kërkesa iu dorëzua dje nga dy avokatët, prokurorit të çështjes, pasi gjykata nuk lejoi leximin e saj në seancë, me arsyetimin se nuk ishte kompetencë e gjykatës emërimi i prokurorit të çështjes. ar.ba