E Diel, 1 Nëntor 2026

Meksi: Programi ynë, prokurorë e hetues privatë

 

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar u ndal dje në reformën në drejtësi, ku prezantoi pikat e programit të saj lidhur me këtë pikë. Në takimin e zhvilluar në njësinë 7 në kryeqytet, kryetari i Polit të Lirisë, ish-kryeministri Aleksandër Meksi theksoi se ky koalicion do të mbajë premtimet pas 28 qershorit. “Ne me programin tonë kemi kërkuar dy gjëra, që lidhen me drejtësinë dhe rendin. E para është që të ketë hetues dhe prokurorë privatë që nuk janë të shtetit dhe nga ana tjetër xhandarmëria, është një polici e cila vjen nga forcat ushtarake të armatosura”, theksoi Meksi. Nga ana tjetër kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, u ndal në Kombinat, ku vuri theksin pikërisht te çmimet referencë, të cilat i janë vendosur biznesit. Sipas tij, kjo është një skemë korruptive e abuzive dhe nuk e ndihmon aspak biznesin. “Të gjitha qeveritë thonë që do t’i heqim referencat dhe askush nuk i heq, sepse është mënyra më e mirë për t’u mbledhur paratë tregtarëve. Ua mbledh atje në Durrës dhe ua cakton sipas qejfit. I pyesin tregtarët, ku e ke blerë mallin dhe nëse e kanë blerë në Greqi i marrin 2 mijë lekë, nëse e kanë blerë në Itali i marrin 3 mijë lekë referenca. Kjo është mënyrë abuzive për të mbledhur para dhe korrupsion”, u shpreh Shehi gjatë fjalës së tij. Në të njëjtën kohë, kreu i LZHK-së u ndal edhe në çështjen e legalizimeve, një prej premtimeve kryesore të Partisë Demokratike në zgjedhjet e katër viteve më parë. Sipas tij, ky është një premtim i pambajtur i forcës kryesore të koalicionit të djathtë. “Një tjetër çështje kryesore që shqetëson komunitetin e Kombinatit është edhe ajo e legalizimeve dhe infrastruktura. Partia Demokratike nuk e mbajti premtimin që bëri katër vjet më parë për të legalizuar banesat e qytetarëve të ardhur në Tiranë. Madje, këtyre dy partive, PD-së dhe PS-së duhet t’u vijë turp që kërkojnë përsëri votën, kur kanë gënjyer për katër vite me radhë”, tha më tej Shehi. Ndërkohë fushata e Partisë Demokristiane, pjesë e koalicionit të Polit të Lirisë është spostuar në qytetin e Pukës, pjesë e qarkut të Shkodrës, e cila nxjerr 11 deputetë. Kandidati i PDK-së në këtë qark, Frrok Gjini ftoi banorët e zonës të votojnë këtë forcë politike, ndërkohë që gjatë këtij mitingu elektoral morën teserën edhe 150 anëtarë të rinj. “Në datën 28 qershor merrni pjesë masivisht në votime dhe votoni lirshëm dhe me bindjen se ju me votën tuaj do të ndryshoni jetën tuaj. Vota për Partinë Demokristiane është votë për të ardhmen e qytetit tuaj”, tha Gjini gjatë këtij takimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›