“Ekonomia në krizë, qeveria do kërkojë ndihmën e FMN-së”
Edhe ekonomia shqiptare do të preket nga kriza ndërkombëtare. Në një shkrim të gazetës së përditshme britanike “The Guardian”, thuhet se kriza botërore do të prekë edhe Shqipërinë dhe se qeveria që do të fitojë zgjedhjet, duhet të kërkojë ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas ekspertëve të huaj, si pasojë e krizës, për këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike.
Kriza
“Dikur e izoluar, Shqipëria tani është e ekspozuar ndaj krizës ekonomike botërore dhe zyrtarët ndërkombëtarë thonë se qeveria që do të fitojë zgjedhjet në fund të këtij muaji, ka shumë gjasa t’i drejtohet FMN-së për ndihmë. Përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryeministri Sali Berisha thotë se ekonomia e popullit të tij me 3.3 milionë njerëz ende është në rritje më shumë se katër për qind. Por ekonomistët dhe shqiptarët e zakonshëm të intervistuar këtë muaj thonë se rritja e fuqishme ekonomike prej disa vitesh në vendin ish-stalinist duket se tani është ndalur”, thuhet në artikullin e gazetës britanike “The Guardian”. Në një situatë të tillë qeveria që do të dalë fituese e zgjedhjeve të qershorit duhet të kërkojë ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për kapërcimin e situatës së vështirë ekonomike. “Qeveria ka investuar para për ndërtimin e rrugëve për të nxitur zhvillimin e ekonomisë, dhe shpenzimet e larta të nëpunësve publikë mund ta nxisin qeverinë e re për të kërkuar ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, siç kanë bërë në muajt e fundit Serbia dhe Bosnja. “Sigurisht, nëse unë do të isha pjesë e një qeverie në kthim (opozita) do të kërkoja FMN-në”, tha një zyrtar ndërkombëtar. “Qeveria mund të marrë vendime të vështira dhe të fajësojë FMN-në... Edhe në qoftë se demokratët (e Berishës) fitojnë, ata do t’i drejtohen Fondit”, thuhet në artikullin e gazetës britanike. Sipas ekspertëve të huaj këtë vit rritja ekonomike nuk do të jetë aq sa e ka parashikuar qeveria dhe, kjo si pasojë e krizës globale. Sipas gazetës, “FMN-ja parashikon një zgjerim nga 0.4 në 0.5 për qind në vitin 2009, një ngadalësim i madh krahasuar nga ritmi i rritjes në vitin 2008 që u vlerësua me 6.8 për qind, megjithatë e butë në krahasim me pjesën tjetër të Evropës të goditur nga recesioni. “Një rritje pozitive do të ishte shkalla e rritjes zero. Kjo do të ishte shkalla më e lartë e rritjes në Evropë”, tha Mario Holzner, një ekonomist në Institutin e Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare. Sa për parashikimin e qeverisë për rritje më shumë se 4 për qind, ai shtoi: “Kjo është false, është thjesht dëshirë. Është e kuptueshme, sepse atje ka një zgjedhje në fund të qershorit”. Por pavarësisht deklaratave zyrtare për rritje ekonomike dhe rritje të cilësisë së jetesës për një pjesë të mirë të popullsisë, të ardhurat mujore janë në nivele minimale. “Rënia në një nga ekonomitë më të varfra të Evropës është e dukshme për punëtorë si Asllan Saliu, i cili i nxjerr të ardhurat e tij nga shitja e çelikut skrap të nxjerrë nga çimento në formë kërpudhe e bunkerëve që u ndërtuan nga komunistët në të gjithë Shqipërinë për t’u mbrojtur nga një pushtim që nuk erdhi kurrë”. “Ndërsa koha kalon, gjërat po përkeqësohen”, tha Saliu, duke përdorur një vare për të thyer çimenton nga një rrjetë e brendshme e dendur me kabllo çeliku në kodrat e vetmuara të Qarrit. “Tani unë duhet të punoj më shumë për të fituar të njëjtën sasi parash”, thotë ai. Saliu fiton rreth 5 euro (7 dollarë) për tetë orë pune të rregullt në një gurore, njëlloj me vitin e kaluar. Por ulja e ndjeshme e çmimeve të çelikut në tregun botëror do të thotë se tani blerësit paguajnë sa rreth gjysma e asaj që ai merrte kur nisi punën te bunkerët e braktisur. “Shifrat zyrtare tregojnë se mesatarja e jetesës shqiptare është 3500 dollarë në vit, rreth një e dhjeta e mesatares së Bashkimit Evropian”, thuhet në artikullin e gazetës britanike. Sipas kësaj gazete, në kohën e komunizmit në Shqipëri, Enver Hoxha ishte i gjithëfuqishëm dhe predikonte vetë-mbështetje ekonomike, duke marrë qartësisht të ardhura nga padronët e tij të tregtisë, sovjetikë dhe më pas kinezë. Pas rënies në anarki, pas skemave piramidale të post-komunizmit në vitet 1990, Shqipëria shpreson të bashkohet me BE-në dhe ka aplikuar në prill. “Berisha, politikani më dominues që kur përfundoi komunizmi në vitin 1991, ishte i matur kur u pyetën nëse ekonomia mund të keqësohet”. “Ekonomia e Shqipërisë po zhvillohet ende, jo me ritmin e vitit të fundit, por tani kemi mbi rreth katër për qind rritje dhe nuk na dhemb koka për buxhetin”, tha Berisha për “Reuters” në një intervistë javën e kaluar. “Do të varet shumë nga turizmi ... Do të varet nga trendi i krizës në botë, në Evropë dhe në botë”, tha ai. “Ajo mundet (të përkeqësohet), por pa diskutim nuk do të ketë krizë. Për këtë unë jam i sigurt. Eshtë një ekonomi e fituar me djersë dhe punë të madhe”, thuhet në artikullin e një prej gazetave më të mëdha britanike.