Onkologjiku, asnjë operacion pas arrestimit të kirurgut
zirina llambro
Dukej që larg që në Spitalin Onkologjik nuk ishte një ditë e zakonshme. Vrulli i punës dhe radhët e pacientëve ishin zëvendësuar me ecejake të pakta në korridore. Si për çudi edhe vetë të sëmurët nuk flisnin me zë normal. Arrestimi i shefit të Kirurgjisë Agim Karaj, dukej sikur i kish mpirë të gjithë. Pezullim total i operacioneve. Jo vetëm atyre të gjirit por edhe tumoreve të tjera. Asnjë nga sallat kirurgjikale nuk arriti të futej në gjendje pune. Burime të sigurta nga stafi i mjekëve pohuan se të planifikuara dje, vetëm për kancerin e gjirit ishin 6 ndërhyrje. "Nuk e dimë çdo bëhet nesër, por sot asnjë pacient nuk është futur në sallë. Pjesa më e madhe e operacioneve për sot do kryheshin nga Karaj. Ka mbetur pezull çdo gjë. Janë dhe 4 kirurgë të tjerë që mund të operojnë veç tij", sqaruan burimet. Sipas tyre edhe vetë pacientet kanë kërkuar t'u shtyheshin operacionet. "Normale që do të krijohej kjo situatë, është shefi ai që merret me gjithë planifikimin e punës" thoshin nën zë infermieret. Çdo javë për kancerin e gjirit futen në "thikë" mesatarisht 30 gra. Kjo për vetë faktin se ky lloj tumori në vendin tonë është më i përhapuri te femrat. Kirurgu Agim Karaj mbulonte pjesën më të madhe të tyre.
Ankthi i mjekëve
Ankth, e deri diku frikë. Të shohin me dyshim për çdo lëvizje që bën e preferojnë më shumë të heshtin sesa të të kthejnë përgjigje. Asnjëherë në spitalin "Nënë Tereza" gjendja nuk ka qenë më e nderë se kaq. Jo vetëm tek Onkologjiku, por në çdo pavijon të spitalit "Nënë Tereza" dje flitej vetëm për ndalimin e bujshëm. E në fakt janë dy të tillë brenda pak ditësh. Ndërsa mes pacientëve dëgjoje shpesh fjalët "Mirë ja bënë, të arrestohen edhe ca të tjerë, se këtu të gjithë këtë punë kanë", bluzat e bardha zor se mund të jepnin ndonjë koment. I çuditshëm por jo i pashpjegueshëm tensioni që u lexohej në fytyrë pjesës më të madhe të tyre. Me njëri-tjetrin nuk mungonin as shkëmbimet e batutave "Na janë qepur keq me këto arrestimet. Çfarë kujtojnë këta se se dimë që i kemi prej një muaji kalecat nëpër këmbë. Nuk punohet më kështu". Por edhe ato vetëm me kolegët e besuar. Stafit të mjekëve onkologë nuk arritëm t'i marrim asnjë koment mbi arrestimin e shefit të tyre. Ajo që flitej nën zë nuk është aspak gjë e re, po të njohësh si funksionojnë gjërat në spitalin "Nënë Tereza". Gjithkujt që halli i ka rënë të kryejë një ndërhyrje e di mirë se jo vetëm tek Onkologjiku, por në të gjitha klinikat kirurgjikale, tarifat janë të përcaktuara mirë. Nëse "letra e gabuar" kësaj here i ra kirurgut Karaj, korrupsionit i është dhënë vetëm një shuplakë. E vetmja "fitore" në këtë rast është se për ca ditë nuk do bëhet hapur si zakonisht.
Pacientët
Të shtruarit tek Onkologjiku, përgjithësisht lavdërojnë mjekun e arrestuar. "Vetëm tek ai kishim besim për operacionin në gji. Të gjithë Gim Karajn më kanë rekomanduar", thotë një dyzetvjeçare nga Fieri, e cila është operuar rreth 1 javë më parë. Kur e pyet nëse ka paguar për operacionin, sytë i çon menjëherë tek infermierja. "S'di gjë, është marrë burri me këtë punë". Sapo infermierja del, njëra prej pacienteve të tjera në dhomë nuk ngurron të thotë se njësoj është gjithandej, e nuk është më gjë e re kjo punë. "Na lër në hallin tonë, se nuk e dimë sa do jetojmë e nuk na interesojnë shumë lekët", flet gati e përlotur ajo. Në fakt pjesa më e madhe e grave që operohen në Spitalin Onko-logjik e zbulojnë sëmundjen në stad tepër të avancuar. E përkthyer më thjesht, me apo pa ndërhyrje, kur metastazat janë përhapur në trup, fatkeqësisht vdekja është e sigurt. Mbeten vetëm disa muaj, ose në rastin më të mirë pak vite jetë. Po të shtosh këtu aparaturat primitive dhe mungesën e ilaçeve të kemioterapisë, të sëmurëve vetëm sa u shkurtohet më tepër jeta. Përveç atij korrupsionit pasiv, Spitali Onkologjik po lëngon nga një tjetër më i thellë. Ka kushtuar 4 milionë euro është rikonstruktuar vetëm 3 vjet më parë e nuk ka as aparaturat më minimale për trajtimin e të sëmurëve. Pacientët që u besojnë jetën s'duan ta besojnë sa afër e kanë vdekjen. Këtë gjë më mirë se kushdo e dinë vetë mjekët që punojnë aty e gjetkë.
Rrëfejnë dëshmitarët
“Agim Karaj u soll pasdite me pranga në spital”
"Pas arrestimit Agim Karaj është sjellë në spital me pranga". Këtë pohuan burime të sigurta nga Spitali Onkologjik, të cilët kanë qenë dje pasdite për turnin e dytë. Ata treguan se pas përfundimit të punës, kirurgu i njohur kishte drekuar në afërsi të vilës "Goldi". "Pasi ka dalë nga lokali, fugoni e ka ndaluar dhe menjëherë i janë vënë prangat. I prangosur dhe i shoqëruar nga policë është sjellë në spital. Ka kaluar përgjatë korridorit dhe është futur në zyrën e tij ku është bllokuar gjithçka. Këtë e pamë vetëm me sytë tanë", pohuan burimet. Ata u shprehën se cilado të jetë akuza, asnjë mjek nuk mund të sillet në spitalin ku ka punuar për gati 30 vjet i prangosur si kriminel. "Mund të akuzohet një mjek për mitmarrje e korrupsion, por nuk mund të trajtohet njësoj si një i shumëkërkuar a një person që ka vrarë. Kjo është jo normale. Jo vetëm për një mjek, por edhe për një qytetarë të thjeshtë", thanë burimet që nuk donin të bënin publikë emrat e tyre. Kirurgu Agim Karaj, i arrestuar dy ditë më parë me akuzën e korrupsionit pasiv, është një ndër mjekët më të vjetër të Spitalit Onkologjik. Prej më shumë se dhjetë vitesh, ai është Shefi i Kirurgjisë Onkologjike. Veç kësaj indinjate për mënyrën e arrestimit, e cila u përfol jo pak nga mjekët që punojnë në QSU, kolegët preferuan më mirë të mos jepnin asnjë koment në mbrojtje të tij. Zyra e kirurgut Karaj, për efekt hetimi ishte e bllokuar edhe gjatë ditës se djeshme.
Kirurgu, “gjobë” fikse për operacionet
Dashamir Biçaku
"Merri këto 30 mijë lekë dhe kur t'i kesh bërë 50 mijë hajde të të operoj babain". Mjeku nuk ka pranuar shumën që i është ofruar, por i ka bërë me dije vajzës se duhej të shtonte edhe 20 mijë lekë të tjera, në mënyrë që babai i saj të bënte operacionin. Sipas policisë, kjo është një nga episodet korruptive të ndodhura me mjekun Agim Karaj, i arrestuar tri ditë më parë me akuzën e kërkimit e marrjes së ryshfetit nga të sëmurët që trajtoheshin prej tij. Kirurgu u arrestua për korrupsion gjatë aksionit të koduar "Plaga e hapur" pas hetimeve disa mujore ndaj tij nga Zyra e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës. Vajza e një pacienti që duhej të operohej nga një sëmundje tumorale, ka dëshmuar në polici se nuk i ka pasur të gjitha paratë që kërkonte mjeku dhe në këtë mënyrë ai nuk kishte pranuar të bënte operacionin. Në policinë e Tiranës kanë mbërritur ankesa të shumta nga personat që kanë pasur histori të ngjashme me vajzën. Ata kanë denoncuar kirurgun e onkologjikut Agim Karaj për veprimtarinë e tij mitmarrëse, duke u caktuar edhe pagesa fikse për pacientët që konsultoheshin, mjekoheshin apo operoheshin te kirurgu i prangosur. Për një periudhë dymujore në zyrat e antikrimit ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë mbërritur ankesa të shumta nga qytetarët që denonconin kirurgun Agim Karaj. Mes këtyre ankesave oficerët e policisë kanë siguruar së paku 6 kallëzime penale, që janë referuar në Prokurorinë e Tiranës. Hetimi është marrë në dorë nga Njësia Task-Force, e cila ka filluar verifikimet për korrupsionin e kryer nga mjeku Agim Karaj, kirurg onkolog dhe shef i kirurgjisë në spitalin onkologjik. Në kallëzimet e të dëmtuarve, policia ka mësuar se përgjithësisht kryekirurgu merrte shuma nga 45 mijë deri në 80 mijë lekë të reja për operacione të zakonshme. Por në raste të vështira, pagesat për operacionet shkonin në shuma edhe më të mëdha, deri në 1 mijë euro. Pas ankesave në rritje për mjekun kirurg, policia filloi hetimet, ndërsa gjatë kontrollit në zyrën e mjekut kirurg dhe në shtëpinë e tij, janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash. Policia tha se mjekut i janë gjetur me vete 8 mijë euro dhe 45 mijë lekë të reja. Oficerët e policisë kanë bllokuar edhe një automjet, që sipas tyre ishte në përdorim nga mjeku bashkë me dy celularë. Bashkë me këto sende efektivët blu i kanë gjetur kirurgut edhe një sasi medikamentesh që shërbenin për kurimin e pacientëve. Policia ka dyshime se origjina e medikamenteve mund të jetë nga jashtë spitalit, megjithatë një fakt i tillë po verifikohet. Të gjitha sendet e bllokuara janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provave materiale. Mjeku kirurgu gjatë dëshmisë së dhënë pas arrestimit ka mohuar marrjen e ryshfetit apo të ketë kërkuar para nga pacientët. Provat e mbledhura janë dërguar në Prokurori, ndërsa të hënën në mesditë Zyra e Task-Force firmosi urdhër-arrestin në ngarkim të kirurgut me akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Prokuroria ankim në Apel: Mjeku Ardian Nelaj të rikthehet në burg
TIRANE - Prokuroria e Tiranës do të apelojë vendimin e gjykatës për lirimin e mjekut Ardian Nelaj dhe lënien e tij në masën e sigurisë "arrest shtëpie". Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave Prokuroria do të ankimojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, sapo të marrë një kopje të tij. Vendimi do të paraqitet në Gjykatën e Apelit të cilës pritet t'i kërkohet të rikthejë në qeli 38-vjeçarin Nelaj, të arrestuar me akuzën e korrupsionit aktiv të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike. "Përfaqësuesi i akuzës kërkoi masën e arrestit me burg deri në përfundim të hetimeve, në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Faktit", thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, Zyra Task-Force Antikorrupsion ka dokumentuar me prova të pakundërshtueshme dy raste të marrjes së ryshfetit nga mjeku i arrestuar Ardian Nelaj. "Për këtë shkak u kërkua lënia e këtij personi në 'arrest me burg', por ishte gjykata ajo që mori vendim të ndryshëm nga kërkesa e Prokurorisë dhe vendosi lirimin e mjekut të akuzuar", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, pas këtij vendimi të Gjykatës së Faktit, Prokuroria do të ankimojë atë në Apel duke kërkuar rikthimin e masës "arrest me burg" ndaj 38-vjeçarit Nelaj, i cili mbante detyrën e shefit të pavijonit të Kirurgjisë në Spitalin e Burgjeve, ndërsa kryente operacione për pacientët edhe në spitalin civil nr.2 në Tiranë. Organi i akuzës konfirmoi se çështja penale ndaj mjekut Ardian Nelaj po hetohet prej disa muajve. Gjatë këtyre hetimeve organi i akuzës ka arritur të dokumentojë dy raste të marrjes së ryshfetit nga kirurgu 38-vjeçar, i cili ra në pranga javën e kaluar në kushtet e flagrancës, pasi kishte marrë 20 mijë lekë të reja nga një pacient që kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale. tr.so