Dalipi: Elbasani nuk ka çfarë humbet në Gramsh
Mesfushori verdheblu e quan formalitet fitoren me Skraparin dhe pohon se ekipi duhet ta tregojë veten në transfertë, duke nisur nga derbi
Elbasani nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vërtetuar se është i pathyeshëm në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku të shtunën mposhti 3-1 Skraparin, ekipin e vetëm që i ka marrë pikë edhe në fushën e tij. Ishte një fitore që pritej nga të gjithë në Elbasan, sepse verdheblutë nuk kanë hasur vështirësi në fushën e tyre. I gjithë problemi qëndron në ndeshjet jashtë, ku ata, me përjashtim të javës së parë në Skrapar, janë mundur sistematikisht.
Dalipi Njëri prej protagonistëve të ndeshjes me Skraparin është mesfushori Endri Dalipi, autori i golit të dytë. Ai pohon se verdheblutë nuk llogarisin asnjë kundërshtar në fushën e tyre, por shton se gjatë fazës së dytë do të fitojnë edhe në transfertë. Ndeshjen me Skraparin e vlerësuam aq sa duhej dhe në fund arritëm një fitore të merituar, që në të vërtetë e prisnim të gjithë.
Mund të them se gjithçka ishte një formalitet dhe ne futbollistët e kishim më shumë mendjen te ndeshja e radhës me Gramshin në fushën e tij. Të gjithë e deklaruar hapur se Elbasani i fazës së dytë është në gjendje të fitojë edhe transfertë, pasi në fushën tonë nuk i diskutojmë 3-pikëshat, ka theksuar fillimisht mesfushori elbasanas.
Gramshi Ekipi ka nisur dje përgatitjet për ndeshjen derbi me Gramshin, por, pas shtyrjes së javës nga FSHF-ja, stafi teknik ka në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për ti rregulluar si duhet gjërat. Dalipi, duke u përqendruar te kjo ndeshje, shprehet se Elbasani i ka të gjitha mundësitë të fitojë në Gramsh, ku 3 pikët do ta kthenin fuqishëm në garën për 5-shen e parë.
Mesfushori thekson se Gramshi do të jetë vendimtar për objektivin. E respektojnë maksimalisht ekipin e Gramshit për ecurinë që ka pasur këtë sezon. Pa dyshim që do të jetë një ndeshje mjaft e fortë, pork am shumë besim se në fund do të jetë Elbasani fitues. Është një derbi dhe patjetër që do të përpiqemi të marrim maksimumin, sepse, në fund të fundit, nuk kemi çfarë të humbasim.
Do të bëjmë gjithçka për të qenë mes 5 më të mirëve. Play-off-i kalon nga Gramshi dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Në Gramsh na bëjnë punë vetëm 3 pikët, ka përfunduar mesfushori Endri Dalipi.
