Dalipi: Forca reale e Elbasanit do të duket në Lezhë
Mesfushori verdheblu, Endri Dalipi, beson për një rezultat pozitiv edhe në transfertën e nesërme me Besëlidhjen, një rivale e drejtpërdrejtë për superligën
Ekipi i Elbasanit e ka lënë pas humbjen në kupë me Mamurrasin, 1-0, në fushën e këtij të fundit, dhe është përqendruar te ndeshja me Besëlidhjen. Është një ndeshje delikate, pasi luhet me një rival të drejtpërdrejtë dhe në fushën e tij. Në seancën e djeshme stërvitore, stafi teknik i ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, të cilët kanë marrë ngarkesën e duhur përpara sfidës me lezhjanët.
Elbasani do të shkojë në këtë ndeshje pas fitores së thellë në derbin me Gramshin, që natyrisht e ka rritur besimin dhe verdheblutë synojnë të mos dalin pa pikë nga stadiumi “Brian Filipi”. Futbollistët e kanë të qartë se nuk lejohen gabime, nëse duan vërtet superligën, që sigurohet duke iu marrë pikë rivalëve.
Elbasani e ka nisur mirë kampionatin, duke marrë 4 pikë në dy ndeshje, por, për të vërtetuar se është pretendent serioz, duhet të fitojë edhe në transfertë, në mënyrë që të ngjitet në kreun e tabelës. Në ekip mbizotëron një klimë e qetë dhe titullarët janë të sigurt se me grupin aktual Elbasani mund të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës.
Endri Dalipi Një nga senatorët e formacionit verdheblu, zëvendëskapiteni Endri Dalipi, deklaron për “Sportin shqiptar” se në Lezhë shkohet për maksimumin, edhe pse është një 90-minutësh i vështirë. Ai thekson se Elbasani është një ekip i fortë dhe këtë duhet ta tregojë edhe jashtë fushe: “Ndeshja me Besëlidhjen pa dyshim që është mjaft e fortë, sepse luajmë në fushën e një kundërshtari që ka në përbërje lojtarë cilësorë.
Kemi respekt për të, por do të luftojmë të mos dalim pa pikë në këtë ndeshje, që do të tregojë se sa i fortë është Elbasani i këtij sezoni.” Dalipi pohon se është i kënaqur me paraqitjen e ekipit në dy javët e para: “Dua të them se jam i kënaqur nga ky fillim i sezonit, pasi kemi marrë 4 pikë në dy ndeshje dhe këto rezultate na japin besimin për të vazhduar rrugën tonë drejt superligës.
Jam i kënaqur edhe nga niveli i lojës, pasi është dukur qartë se Elbasani ka qenë më lart se kundërshtari. Shpresoj të vazhdojmë kështu, pasi do të ishte “mëkat”, nëse Elbasani do ta diskutonte superligën këtë sezon, ka shtuar mesfushori verdheblu. Grupi i futbollistëve të Elbasanit gëzon moral të lartë, ndaj dhe mendohet se edhe transferta e Lezhës do të kalohet me sukses.
