Krasniqi: Besa smund të dënohet 3 herë nga fati
Verdhezinjtë presin nesër Kukësin, ku fitorja mbetet e vetmja rrugë, pas dy javëve të para të shkuara dëm
Pakkush ose askush nuk e kishte menduar se Besa nuk do të fitonte asnjë nga dy ndeshjet e para të kampionatit. Sipas parashikimeve, kavajasit duhej të ishin ndër ekipet me pikë të plota, por ja që pas ndeshjeve me Gramozin në shtëpi dhe me Adën në transfertë, ata kanë vetëm një pikë. Pikërisht humbja-surprizë në start me kolonjarët dhe barazimi në Velipojë kanë bërë që Besa, nëse sheh renditjen, të duket ekip i rëndomtë. Deri tani, i vetmi ngushëllim për ta mbetet fitorja e së mërkurës në kupë me Besëlidhjen.
Nuk ka panik Pavarësisht zhgënjimeve në dy javët e para, stafi teknik dhe lojtarët mendojnë se gjërat janë në rregull dhe se ajo që ka ndodhur ka qenë thjesht rastësi. Sipas tyre, rezultatet nuk i janë përgjigjur nivelit të lojës. Nuk duhej të humbisnim në Kavajë me Gramozin, pasi patëm raste të fitonim me goleadë, ashtu si dhe në Velipojë, ku u ndëshkuam në fund nga një rastësi.
Ndoshta Gramozin e nënvlerësuam disi dhe kjo bëri që të dilnim pa pikë, kurse me Adën ishim shumë mirë. Kaluam dy herë në avantazh dhe patëm raste të shënonim edhe gola të tjerë. E menduam ndeshjen të fituar dhe humbëm dy pikë të çmuara. Në Velipojë na pengoi dhe fusha.
E them me sinqeritet se kurrë skam luajtur në një fushë të tillë, ka thënë mes të tjerash mbrojtësi Gëzim Krasniqi, duke iu referuar 180 minutave të para të kampionatit. Ai do të jetë titullar këtë sezon dhe kërkon të konfirmojë vlerat e tij me fanellën e Besës.
E treta, e vërteta Qendërmbrojtësi 21-vjeçar, që ka provuar edhe fanellën e ekipit Shpresa, mendon se dy javët e para nuk do të përsëriten, ndaj dhe në ndeshjen e nesërme me Kukësin nuk e diskuton fitoren: Vërtet që nuk na falet të lëmë të tjera pikë. Presidenti Bizhdili dhe trajneri Magani na e kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë më gabime. Përpara se të mendojmë për goleada, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të sigurojmë pikët.
Duhet të fitojmë çdo ndeshje, sepse jemi Besa dhe kualitetet nuk na mungojnë. Kemi përpara Kukësin, me të cilin jemi ndeshur në një miqësore dhe e njohim pak a shumë. Është një ekip, që meriton vlerësim maksimal, pavarësisht se Besa qëndron më lart. Jemi të dënuar të fitojmë këtë radhë, ku besoj se fatin do të jetë në anën tonë. Vetëm duke e vlerësuar çdo kundërshtar, mund të fitojmë, – përfundon Krasniqi.
Tifozët presin fitoren e parë
Me shumë interes po pritet takimi i radhës edhe nga tifozët kavajas, të cilët kanë bindjen se këtë radhë do ti gëzohen fitores patjetër. Po nuk fituan edhe me Kukësin, të shkojnë të mbyten diku, – shprehet njëri prej tyre, duke nënkuptuar diferencat mes dy ekipeve. Në fakt, këto diferenca ishin edhe ndaj Gramozit me djem të rinj, por fundi ishte i hidhur. Këtë e kanë kuptuar më mirë se kushdo vetë lojtarët e Besës dhe, në rast të ndonjë hapi tjetër fals, gjasat janë që të nisin masat ndëshkimore apo dhe largimet.
