Dalipi: Skrapari ka potencial për të parën
Skuadra e Skraparit, që në dy ndeshjet e para ka marrë 4 pikë në fushën e saj, duke barazuar me Elbasanin dhe fituar me Besëlidhjen, pretendon të mos dalë pa gjë edhe nga Gjirokastra. Trajneri Edmond Dalipi duket i kënaqur me atë që skuadra ka dhënë në këto dy javë dhe për Sportin shqiptar thekson mes të tjerash se Skrapari e ka kapacitetin për ta përballuar mes sukses kategorinë e parë.
Në ndeshjen e kupës me Laçin ai aktivizoi lojtarë të rinj, duke i kursyer titullarët për transfertën e nesërme me Luftëtarin. Në kupë u dhamë hapësirë të rinjve, që dua ti afirmoj në ekipin e parë. Ne jemi të përqendruar te kampionati, që e kemi nisur mbarë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Kemi marrë një barazim dhe një fitore ndaj dy pretendentëve për në superligë, siç janë Elbasani dhe Besëlidhja.
Mendoj se ky është ekipi i vërtetë i Skraparit, që do të synojë mesin e artë të tabelës së klasifikimit. Kjo është detyra jonë, por ndonjëherë oreksi vjen duke ngrënë dhe mund të dalim në ndonjë pozicion më lart. Besoj se në ndeshjen me Luftëtarin do të shfaqim potencialin tonë. Kundërshtari i ka kushtet dhe stafin e duhur për të vazhduar kështu siç e ka nisur, por ne besojmë se mund të marrim pikë, – ka theksuar trajenri i Skraparit, Edmond Dalipi.
