E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalipi: Ja rrugët e pandërtuara nga qeveria

Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi reagon për situatën e rrugëve në vend

TIRANË- Ndërsa kryeministri Sali Berisha po propagandon investime në rrugë me prerje shiritash, Partia Socialiste vazhdon të sjellë në vëmendjen e opinionit publik të tjera shifra që flasin për të kundërtën. Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, ka deklaruar dje se kryeministri është i paaftë që të mbajë premtimet për akset rrugore.

“Emigrantë që kanë pritur me orë të tëra në kufi dhjetë minuta pasi lënë një vend komunitar përballen me Kandaharin në rrugën Korçë-Pogradec, një shkretëtirë e krijuar jo për shkak të prapambetjes dhe moszhvillimit, por për shkak të makutërisë dhe korrupsionit. Një katastrofë jo vetëm sigurie rrugore, por edhe mjedisore. Jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike. Përgjatë 36 km, në një trase që kalon në fushat më pjellore të vendit, shikon njerëz që punojnë tokën e shesin prodhime si të sapodalë nga minierat, të pluhurosur dhe të nxirë, shikon udhëtarë të dërrmuar dhe shofere të trishtuar që një segment kaq të shkurtër e vuajnë për dy orë”, - tha ai. Dalipi theksoi se nga Veriu në Jug ritmet elektorale kanë marrë peng zhvillimin e vendit. ”Nga Veriu ne Jug makutëria dhe papërgjegjshmëria në çdo segment rrugor të filluar po i merrte jetën qytetarëve, nga Veriu në Jug, në prag të shtatorit të tretë, dy vjet me vonesë, i vetmi objekt publik i përfunduar i kësaj qeverie, nisur para vitit 2005, edhe kjo sipas deklaratave, është ai Gjirokastër-Tepelenë. Janë ritmet elektorale që mbajnë peng të gjitha akset rrugore të vendit, torturojnë qytetarët shqiptarë dheata të huaj. Shkodër-Hani i Hotit me financim të gjetur, të ratifikuar edhe në parlament, nuk dihet kur do fillojë. Rruga e Arbërit, e filluar pa një projekt real, pa garanci financimi dhe me ritme të papërfillshme pune. Lushnje-Fier, afati kontraktual ka mbaruar dhe nuk dihet ende afati i përfundimit. Fier-Vlorë, sipas komunikatës traseja ka përfunduar, media dëshmon se nuk ka asnjë element të rrugës. Levan-Tepelenë, pas tre vjetësh, pas një marrëveshje të negociuar me BEI-BERZH nuk dihet se kur do të fillojë, ndërkohë që 2008 duhet të ishte viti i përfundimit”,- tha Dalipi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›