E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, shtyllat e programit politik e qeverisës

Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja tregon aktorët që kanë punuar dhe mënyrën e organizimit të draft-programit

Z. Beqja në cilësinë edhe të nënsekretarit për programin si ka ecur puna për hartimin e tij dhe kur pritet të kemi një material konkret?

Puna që ne kemi marrë përsipër për të bërë për hartimin e programit është pothuajse e përfunduar dhe në fund të muajit ne kemi gati një version të parë të programit, jo vetëm të programit elektoral, por edhe atij qeverisës. Kjo do të na japë mundësi që duke filluar nga muaj shtator e mbrapa të fillojmë ballafaqimin e asaj që kemi shkruar me shqiptarët. Pra ato që ne kemi shkruar në këtë draft-program për fusha të ndryshme do ti ballafaqojmë përsëri me shqiptarët në një proces të dytë të ngjashëm me “Dialogun me Shqipërinë”, por kësaj here jo vetëm për të dëgjuar siç bëmë vitin e shkuar, por kësaj here edhe për të thënë se çfarë propozimesh kemi ne. Në këtë mënyrë, ne tentojmë që të marrim dhe një mendim të dytë nga shqiptarët se çfarë mendojnë për propozimet tona.

Nuk mendojmë ta botojmë programin që në shtator të këtij viti, por gradualisht për çështje të ndryshme do të zhvillojmë teza të ndryshme.

Çfarë përmban konkretisht ky draft-program ose më saktë si është organizuar ai?

Kemi përcaktuar deri më sot 107 çështje që do të ketë programi jonë për të gjitha fushat. Sot që ne flasim kemi lënë të shkruar 94-95 çështje dhe për të tjerat, pra për 12 çështjet e tjera do të vazhdojmë të punojmë për ti mbyllur në ditët në vijim. Por kjo nuk do të thotë që në shtator apo tetor gjatë diskutimit të këtyre çështjeve me shqiptarët të mos na dale një çështje 108 apo e 109 e kështu me radhë. Kjo pasi drafti ynë mbetet i hapur për sugjerime nga qytetarët dhe specialistë të fushave që do të marrin pjesë në këtë debat të dytë. Çështjet që përfshin programi janë të grupuara në 3 grupime të mëdha dhe brenda tyre pastaj janë ndarë në dhjetë fusha të ndryshme të cilat përkojnë dhe me funksione të ndryshme të qeverisjes sipas standardeve ndërkombëtare të organizimit qeverisës. Ndërkohë idetë tona po i diskutojmë dhe po marrim dhe mendime nga ekspertë të huaj me të cilët dhe po punojmë.

Me cilët ekspertë keni bashkëpunuar në hartimin e këtij drafti?

Ne kemi bashkëpunim me shumë ekspertë të huaj të së majtës evropanie. Njëri prej tyre është ish-ministri gjerman i Shtetit dhe Ekonomisë Kristof Zoepel, i cili që nga janari i shkuar na asiston nga afër dhe ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe në shkrimin e të gjitha pikave të programit tonë politikë dhe qeverisës. Ndërkohë, ne kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë me një fondacion të së majtës italiane i cili ka angazhuar 20 ekspertë për gjashtë fusha të ndryshme të programit. Gjithashtu po bashkëpunojmë me të majtën franceze për dy fusha të tjera, kemi përcaktuar kontaktet me një person që ka qenë ish-ministër financash në Hungari në vitet 1990. Ndërkohë kryetari i PS-së Edi Rama kur ishte në Athinë në takimin e internacionales socialiste ka rënë dakord me kryeministrin bullgar që është sot në pushtet për të bashkëpunuar dhe me socialistët bullgar për dy fusha të caktuara.

Po nga ekspertët shqiptar?

Përsa i përket ekspertëve shqiptar ata përbëjnë një numër të madh prej afro 70 veta. Kanë punuar të 7 komisionet Asamblesë Kombëtare të PS-së të cilat të gjithë bashkë kanë kontribuar sipas fushave që mbulojnë. Gjithashtu për hartimin e programit ka punuar dhe gjithë sekretariati i organizimit. Ndërkohë që një pjesë të mirë të kontributit e ka dhënë dhe Fondacioni “Qemal Stafa”, i cili ka hartuar një sërë pikash. Një ndihmesë ka dhënë ky fondacion edhe me librin e rekomandimeve që ky fondacion ka përgatitur dhe që në fillim të muajit do ia dorëzojë zyrtarisht partisë. Fondacioni ka mbuluar kryesisht çështjet e makroekonomisë, të zhvillimit ekonomik, të administrimit fiskal, të drejtësisë, të politikës së jashtme, integrimit evropian, të administrimit të territorit.

Nga cila çështje do ia nisni debatit në shtator?

Ende nuk kemi një kalendar se cila do të jetë çështja që do të diskutohet në shtator dhe cila ajo që do të diskutohet në muajt e tjerë. Diskutimi i programit me shqiptarët që do të nisë në shtator do të bëhet sipas një rendi të pa përcaktuar ende për secilën çështje. Është një proces që do të nisë në shtator dhe do të zgjasë deri në mars.

Nga do të ndryshojë programi qeverisës nga ai politik?

Programi politik është diçka më e përmbledhur sesa ai qeverisës. Në programin politik nuk shkohet në detaje në të 107 çështjet. Sigurisht që ne kemi një draft të parë, por meqenëse zgjedhjet janë në qershor jeta vazhdon, qeveria vazhdon të bëjë gabime, miraton ligje të reja që duhen përmirësuar, kështu që për këtë arsye praktike përsa kohë qeveria vijon punën e saj, ne nuk mund ta publikojmë atë.Ilir Beqja:

“Drafti ynë mbetet i hapur për sugjerime nga qytetarët dhe specialistë të fushave që do të marrin pjesë në këtë debat të dytë. Çështjet që përfshin programi janë të grupuara në 3 grupime të mëdha dhe brenda tyre pastaj janë ndarë në dhjetë fusha të ndryshme të cilat përkojnë dhe me funksione të ndryshme të qeverisjes sipas standardeve ndërkombëtare të organizimit qeverisës. Ndërkohë idetë tona po i diskutojmë dhe po marrim dhe mendime nga ekspertë të huaj me të cilët dhe po punojmë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›