Dalipi: Pas fshatit po varfërohet edhe qyteti
Socialistët akuzuan dje Kryeministrin se ka varfëruar fshatin dhe për pasojë ka sjellë varfëri të thellë edhe në qytet. Deputeti Alfred Dalipi konstatoi se vendit po i troket një krizë e re çmimesh, ndoshta më e forta në 18 vitet e fundit. "Apeli ka ardhur nga Banka e Shqipërisë, ku Guvernatori i Bankës, duke e emërtuar krizën e çmimeve, kërkoi për një ekonomi si Shqipëria që të rritet shfuqizimi i tokës, sipërfaqet e mbjella dhe produktiviteti për njësi", theksoi Dalipi. Ndërsa shtoi se sot në vend nuk po mbillet, nuk po vaditet, nuk po kreditohet, nuk po subvencionohet nga shteti. "Nuk ka politika fiskale për produktet bazë, nuk po investohet në teknologji bujqësore, nuk po i kushtohet vëmendje infrastrukturës, nuk ka konsulencë bujqësore, nuk ka ide për zhvillim të qëndrueshëm dhe më e keqja është se fermerët në masë ndihen të kërcënuar nga tokat e paregjistruara", u shpreh Dalipi. Ai shtoi se nuk është çudi që vendi të kërcënohet me uri. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ai kërkoi që Kryeministri Berisha t‘i kthehet me vëmendje programit qeveritar. Ashtu sikurse duhet të merren masa të menjëhershme financiare dhe fiskale nga qeveria për produktet bujqësore. "Të nxitet prodhimi vendas bujqësor duke rikonceptuar nga e para subvencionimin", tha Dalipi. Në vlerësimin e selisë rozë, qeveria duhet të shtojë masën e ndihmës financiare për sektorin agro-ushqimor, ashtu sikurse duhet të marrë masa për të shmangur politikat selektive në subvencionimin e programeve mbi bujqësinë dhe keqpërdorimin e fondeve nga donatorët e huaj.