E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ndalet kriza në PDK, dy grupimet vazhdojnë sulmin frontal

Vazhdon përplasja mes Ndokës dhe kundërshtarëve të tij brenda PDK-së. Përshkallëzohet kriza demokristiane, ku në qendër të vëmendjes është shkarkimi i kryetarit Nard Ndoka dhe tentativa e këtij të fundit për t‘u mbijetuar sulmeve të kundërshtarëve të tij brenda partisë. Regjistrohet kallëzimi penal ndaj Anton Gurakuqit dhe Zef Bushatit në Prokurorinë e Tiranës. Lajmi është bërë i ditur nga nënkryetari i PDK-së, Sokol Frroku. "I vetmi anëtar kryesie legjitim dhe i pranishëm në atë takim, i cili ishte thjesht një show mediatik, ka qenë Anton Gurakuqi", u shpreh Frroku, duke iu referuar takimit të dy ditëve më parë, ku u vendos edhe pezullimi i Nard Ndokës si kryetar partie. Partia Demokristiane ka bërë me dije se ditën e premte do të mbledhë Këshillin Kombëtar e do t‘u jap përgjigje kundërshtarëve të Nard Ndokës. Nga ana tjetër, rivalët e Ndokës kanë deklaruar se do të mblidhet kongresi i jashtëzakonshëm më 10 maj, ku do të kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit Ndoka. Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Anton Gurakuqi, dhe zëdhënësi i shtypit i kësaj partie, Andi Krroqi, nëpërmjet një konference për shtyp deklaruan se Kryesia e Partisë Demokristiane nuk e njeh më Nard Ndokën si kryetarin e saj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ata theksuan se "deklarimet e bëra një ditë më parë nga Ndoka, për mbledhjen e një të ashtuquajturi Këshill Kombëtar, të cilin ne nuk e njohim, ku do të marrin pjesë 60 drejtorë dhe punonjës të tyre, por që realisht janë marrë nga kontingjente të partive të majta të Partisë Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës, konsiderohen nga ana jonë abuzim me postin zyrtar". Sipas tyre, kryesia e PDK-së i ka bërë thirrje kryetarit Ndoka "të mos dalë më në media, por të gjejë kurajën për të marrë pjesë në kongresin e madh të datës 10 maj, ku të japë llogari për drejtimin abuziv të partisë, si dhe për mungesën e transparencës së përdorimit të 210 milionë lekëve të fondeve, marrë nga buxheti i shtetit gjatë dy viteve, kohë kjo kur Ndoka ka drejtuar PDK-në". Prej disa ditësh në selinë e PDK-së janë vënë re çarjet që kanë nisur midis krerëve të kësaj force politike dhe anëtarëve të saj, të cilët nuk po bien dakord në lidhje me interesat e brendshme të kësaj partie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›