E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi i partive, Laska takime në Francë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive krijoi një urë komunikimi e bashkëpunimi me homologët e Agjencisë Qendrore për Parandalimin e Korrupsionit të Francës. Kjo u arrit gjatë disa takimeve që një ekip i institucionit zhvilloi në datat 23-24 prill 2008 në Paris. Qëllimi i kësaj vizite ishte unifikimi i metodikave dhe praktikave të punës në luftën anti-korrupsion, si edhe marrja e eksperiencës pozitive të institucionit francez në parandalimin e konfliktit të interesave. Në takim me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë, Michel Barrau, inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, Fatmira Laska, bëri një prezantim të punës së institucionit, si dhe rezultatet e sfidat me të cilat është përballur Inspektorati i Lartë. Nga ana e tij, Barrau u shpreh se korrupsioni është një problem i prekshëm në çdo vend, por që shfaqet në forma dhe nivele të ndryshme. Të dyja palët ranë dakord se për të arritur rezultatet e pritshme në sfidën anti-korrupsion duhet të ketë bashkëpunim ndërinstitucional. Laska zhvilloi takim edhe me Christian Muller, drejtor i Zyrës së Parandalimit të Pastrimit të Parave të Francës (TRACFIN). Takimi i fundit që zhvilloi delegacioni shqiptar ishte në Skuadrën Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit. Këshilltari Xavier Ventoza shpjegoi mënyrat e shmangies së financimit të partive ose kandidatëve nga individë privatë, pasi legjislacioni francez nuk e lejon diçka të tillë. Stafi i ILDKP-së tregoi interes të veçantë edhe për këtë fushë, pasi nevoja e rregullimit ligjor të financimit të partive politike në Shqipëri është tejet e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›