E Diel, 1 Nëntor 2026

Një udhëtar si Lir

Në rrafshin e kulturës, pas shpalljes së vitit 2008 si "Viti i Çabejt", është dhe Eduart Lir që e fitoi këtë status, sigurisht jo për së gjalli. Ishte shoqata kulturore "Miqtë e Eduart Lir" dhe "UFO Universitet" ata që e shpallën këtë vit si vitin e Lir. Dje në ambientet e këtij universiteti është mbajtur një simpozium titulluar "Eduart Lir në Shqipëri", organizuar me rastin e 160-vjetorit të vizitës së tij të parë në vendin tonë, si dhe me rastin e 120-vjetorit të vdekjes. Dr prof. Afrim Karagjozi, një nga pasionantët e artit të Lir, mbajti kumtesën me titull "Eduard Liri dhe Shqipëria". Prof. dr. Ferid Hudhri, studiues i veprave të këtij piktori të njohur, mbajti kumtesën "Eduart Lir". E pranishme në këtë takim për Lirin ishte dhe studiuesja dhe biografia e tij, dr. Vivien Noakes, e cila tregoi jo vetëm raportet e Lir me Shqipërinë, por dhe atë çfarë mbart vepra e tij. Noakes është një nga studiueset që ka shkruar pafund për veprën e Lir. E ftuar nga fondacioni "Patricia Nugee" ajo është anëtare e Shoqatës Mbretërore të Shkrimtarëve. Ajo është autorja e shumë librave për dhe mbi Lirin, njërin prej të cilëve e ka prezantuar Princi Carls i Wellsit. Dje, pas kumtesave u dha dhe filmi "Aventurat e Eduard Lirit në Shqipëri" nga "Lear Production" Londër. Piktori anglez Lir është një nga ata vizitorët që e zbuluan rastësisht vendin tonë, por që më pas udhëtuan shpesh drejt tij. Vetë Lir ka udhëtuar dy herë drejt viseve shqiptare për të hedhur në telajo këtë natyrë të mrekullueshme që fshihej në këtë vend. "Ai krijoi për herë të parë përmasat e plota të peizazhit shqiptar, ku ndihet menjëherë madhështia dhe larmia e relievit, si dhe drita e plotë e ngjyrat e qarta të Mesdheut", shkruan për të studiuesi Ferid Hudhri. Pikturat që ai ka bërë për Shqipërinë janë të shumta, dhe ato janë një rrëfim i bukur me gjuhën e artit të këtij piktori kur ai erdhi në vendin tonë. Sipas të gjitha të dhënave dhe fakteve shkencore, akuarelet e realizuara në Shqipëri nga Eduard Lir ende përbëjnë një dëshmi të vyer për kostumografinë dhe realitetin social dhe historik të asaj kohe të vëzhguar kësaj here nga një britanik. Për kritikët dhe studiuesit e veprës së tij, pikturat e tij janë aq të ndjera. Natyra e përcjellë nga Lir ka brenda dhe poezinë (Lir është i njohur edhe si poet). Lir e ka nisur krijimtarinë në moshën 15-vjeçare. Në fillim u mor me vizatimin e kafshëve, të cilat i botoi në disa albume, më pas është marrë me ilustrime, ka dhënë mësime për pikturë, ka shkruar edhe libra me poezi. Pas vitit 1837 jetoi jashtë Anglisë. Udhëtoi për të pikturuar nga Italia, Shqipëria, Greqia, Palestina, Siria, Egjipti. Më vonë shkoi edhe në Indi dhe në Celion. Në udhëtimet e tij në Lindje është shoqëruar nga shqiptari Gjergj Kokalli. Sipas studiuesit Hudhri, Liri është një nga artistët e huaj që ka bërë më shumë vepra me temë shqiptare, si dhe realizuesi më i përkryer i peizazhit. Në kuadër të vitit kushtuar këtij artisti të njohur anglez, ndoshta është rasti më i mirë për t‘u njohur më tepër me atë çfarë Lir bëri për vendin tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›