Dalja nga ilegaliteti
Shënimi i 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës në Prishtinë, parë nga mediet, nga prononcimet e individëve dhe reagimet, mund të thuhet se pati një jehonë negative në opinionin e Kosovës. Në njëfarë mënyre, dukej kjo si prishje e papritur e “higjienës politike” të Kosovës, e cila, e preokupuar me postulatet e një “politike të madhe” (siç është pavarësia, njohja ndërkombëtare, integrimet euroatlantike, funksionimi i shtetit të Kosovës në tërë territorin etj.), për një çast u detyrua të ndalej dhe të shihte në pasqyrë edhe një pamje të veten të papëlqyeshme. Shfaqja e Enver Hoxhës në Prishtinë nuk ishte e shpifur, e trilluar, somnabulike, një shfaqje fantazmagorike ose iluzore. Ajo ishte shfaqje reale. Ishte rishfaqja e reduktuar, e rrudhur, e zvogëluar maksimalisht e një trashëgimie të ngulitur dhe të qëndrueshme. Ata që e duan me çdo kusht identitetin kosovar, deshën - s’deshën, duhet ta pranojnë (pa shumë mundësi zgjedhjeje) edhe Enver Hoxhën si pjesë të këtij identiteti. Moskuptimi i këtij fenomeni qëndron vetëm në një pikë: identiteti dhe identitetet nuk krijohen vetëm me “gjëra të dukshme” dhe nuk mbështeten vetëm në trashëgiminë pozitive. Ato kanë edhe anën e tyre latente, ndonjëherë realisht të padukshme, ndonjëherë të fshehur dhe të kamufluar me kujdes. Përveç kësaj, ashtu sikundër u përpoq të thuhej gjatë këtyre ditëve në një mënyrë jo shumë të qartë, Enver Hoxha është pjesë e trashëgimisë politike dhe botëkuptimore të Kosovës.
Nuk do mend, kjo shumëkujt nuk i pëlqen dhe përpiqet ta fshehë. Dikush tjetër nuk e kupton. Të tjerët tmerrohen dhe tërbohen, hidhen e përhidhen, por përsëri detyrohen të kthehen në fillim të fillimit: në krijimin e mendësisë politike, të botëkuptimit politik, po deshët edhe të identitetit politik të Kosovës, Enver Hoxha ka pasur dhe ende vazhdon të ketë rolin e vet. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, madje në Shqipëri (për arsye të ditura) njëqindfish më shumë se në Kosovë. Në Kosovë janë simbolet, nostalgjia dhe përgjithësisht gjëra eterike. Në Shqipëri është realiteti i prekshëm. Nga njohjet që kam pasur, nga ajo që shoh tani në mediet e Shqipërisë, nga librat që lexoj, enverizmi “titëron” në të gjitha anët, edhe në botëkuptimet dhe praktikat politike, edhe në filozofinë e jetës, edhe në vokabular, edhe në koncepte, madje edhe në një pjesë të mirë të postulateve intelektuale dhe krijuese. Prandaj, ajo që u tha aty-këtu, se me shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës në Kosovë fyhet Shqipëria, veçmas njerëzit e atjeshëm që pësuan nga diktatura e tij, nuk qëndron, sepse ishte vetë Shqipëria ajo që e krijoi, e mëkoi dhe e rriti enverizmin, ndërsa Kosova e “konsumoi” me aq dozë sa ia dhanë dishepujt autoktonë të kësaj ideologjie.
Enverizmi në Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të jetë autentik, kurse në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë “i transferuar”, “i bartur”, i shitur”, pra si pasojë logjike e një kohe dhe rrethanave të saj. Prandaj, nëse dikush duhet të ndihet keq nga kjo situatë, kjo është Kosova, e cila duhet të vjelë pasojat e një “shpikjeje” me etiketë ekskluzive të Shqipërisë. Që është kështu, e dëshmon edhe fakti, se manifestimi në Prishtinë do të ishte i zbehtë dhe i parëndësishëm, sikur aty të mos ishin “inkarnimet” autentike të enverizmit, si Ramiz Alia, telegrami i Nexhmijes, trashëgimtarët e Enverit e kështu me radhë.
Por kjo tani nuk ka shumë rëndësi. Nuk ka rëndësi as fakti se në këtë manifestim morën pjesë dy deputetë të Kuvendi të Kosovës. Njerëzit në Kosovë i la gojëhapur legaliteti, pra manifestimi legal i enverizmit, jo pse shumica syresh ndjejnë refuzim ndaj kësaj ideologjie, por ngaqë deri tash ishin mësuar dhe e pranonin vetëm enverizmin ilegal. Përveç kësaj, një pjesë e njerëzve në Kosovë mund të jenë prekur në një tel të hollë të ndërgjegjes, sepse për herë të parë u ballafaquan botërisht me një “vetvete të fshehur”, me një ndërdije që funksionon pavarësisht vullnetit të tyre deklarativ. Nga ana tjetër, analistëve që u morën me këtë çështje, nuk iu shkoi mendja se dalja e enverizmit nga ilegaliteti është një situatë pozitive për Kosovën, sepse Kosova, e këtillë çfarë është, ka “këllqe” të ballafaqohet legalisht dhe publikisht me një “alternativë” politike, çfarë ka qenë enverizmi dhe, mbase, synon të bëhet përsëri.
Në çfarë mase, është çështje tjetër. A do të funksionojë dhe si do të funksionojë kjo alternativë, po ashtu është çështje tjetër.
Nëse në Prishtinë mblidhen dy mijë enveristë dhe manifestojnë nostalgji për Enverin, është një broçkull e vogël politike. Por, nëse në Prishtinë mblidhen dymijë enveristë- ekstremistë dhe kërkojnë të rrëzojnë pushtetin me revolucion, kjo është çështje shumë e ndjeshme shtetërore. Ndërkaq, nëse dymijë enveristët legalë, i kanë prapa (mos e dhëntë Zoti!) dyqind mijë enveristë ilegalë, kjo është çështje për alarm të madh shoqëror. Tani ne duhet të shohim ku jemi. Mendoj se ne jemi te pika e parë, pra te broçkulla politike, pa ndonjë rrezik real të rrëshqasim te format e tjera të manifestimit të kësaj ideologjie.
Edhe për një çështje dëshiroj të tërheq vëmendjen: Përse në Kosovë ka një numër të rinjsh (nuk e di shumë a pak), që e përqafojnë enverizmin? Ata që sot janë në pushtet (ose në bashkëqeverisje), duhet ta pyesin veten, përse më 1981, anë e kënd Kosovës brohorisnin (ata ose shokët e tyre): “Poshtë borgjezia e kuqe!” Sepse ndiheshin të zhgënjyer, pa perspektivë dhe ideologjinë klasore të Enverit e shihnin si të vetmen alternativë për të shpëtuar nga mjerimi social.
Epo, disa gjëra nuk ka nevojë të shpjegohen deri në fund.