Skandali, 1400 studentë të mjekësisë rrezikojnë vitin
Studentët e fakultetit të Mjekësisë protestuan paqësisht dje paradite, pasi kërkojnë heqjen e stazhit. Ata akuzojnë dekanin e fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, se nuk po zbaton vendimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku parashikohet heqja e stazhit. “Me kërkesën tonë rektori i Universitetit të Tiranës ka nxjerrë një udhëzim, ku parashikohet që viti i ri akademik për studentët e vitit të tretë dhe të katërt do të bazohet në rregulloren e vjetër”, - thotë një nga studentët protestues. Në këtë mënyrë rreth 1400 studentë të mjekësisë mund humbin vitin akademik që sapo ka filluar. Por, pas protestës së studentëve situata ndryshoi. Priftanji firmosi rregulloren për heqjen e stazhit.
Protesta
Në protestën e zhvilluar ditën e djeshme studentët shpreheshin se dekani nuk mbajti premtimet dhe se një nga pikat që ai parashtroi në fushatë ishte mospasja e stazhit. “Dekani duhet të ketë të qartë se ne e vumë, ne e heqim”, - thonë një grup studentësh duke vazhduar se, “ne duam heqjen e stazhit, por mbi të gjitha të mos vendosë rregulloren me kredite. Ne deri para një javësh nuk e kishim stazhin dhe në çdo sezon nuk kishim limit, ndërsa tani dekani vendos që do vërë rregullore me kredite”.
Problemi i studentëve është se stazhi nuk do të vendosej për këtë vit akademik 2008-2009, por për vitin që sapo kaloi. “Kjo do të thotë që del një vendim dhe 1382 studentë të mjekësisë duhet të ngelin”,- shpreheshin studentët.
Rreth mesditës së djeshme dekani shfaqet, çan turmën, hyn në zyrën e tij dhe shprehet se ndjehet i kërcënuar prej tyre. Ndërkohë studentët shkojnë “kot” në mësim, pasi regjistrat nuk janë përpiluar ende. “Nuk e dimë në cilin vit jemi”, - thoshin studentët. Gjithashtu, ata u shprehën se protesta e radhës do të bëhej për shkarkimin e dekanit.
Vendimi nga rektorati
Ndërkohë, nga rektorati ka ardhur një vendim që kjo të zbatohet vetëm për vitet e para dhe studentët e viteve të tjera të vazhdojnë pa stazh. “Duke marrë në konsideratë edhe kërkesën e Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, në mbështetje të kërkesave të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007 “për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që procesit të implementimit të tij i ka parashikuar edhe afate kohore të nevojshme, udhëzoj: për studentët që kalojnë nga viti i parë në të dytin, të zbatohet propozimi i përcjellë nga Rektori me shkresën Nr. 1963, datë 26.092008 (që studenti të mbartë deri 30 kredite). Për studentët e viteve të tjera, të zbatohet praktika e ndjekur në vitin akademik 2007-2008”, - thuhet në udhëzimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.
Precedenti
Studentët e fakultetit të Mjekësisë kanë protestuar para rektoratit të Universitetit të Tiranës kundër vendimit të Dekanatit për rikthimin e stazhit. Ata pretendojnë se dekani, Alfred Priftanji, nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e kalimit nga një vit akademik në tjetrin, duke vënë në rrezik shkollën e shumë studentëve. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë firmosur një peticion, me anë të të cilit kanë kërkuar mbështetjen e rektorit, Dhori Kule, i cili ka përkrahur studentët në kërkesat e tyre dhe iu ka premtuar se shumë shpejt do të kenë një zgjidhje për këtë situatë të krijuar. Ndërkohë, studentët protestues kanë deklaruar se, nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e tyre, atëherë ata do të bojkotojnë auditorët.