Dallavere me tenderë në ministrinë e Rashiqit

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) e ka urdhëruar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që ta kthejë në rivlerësim tenderin “Sigurimi i objekteve të MPMS-së me shtrirje regjionale”, pasi që ka gjetur shkelje gjatë procesit të tenderimit. Vendimi i OSHP-së ka ardhur pasi që kompania e sigurimeve “Security Cod” nga Prishtina, është ankuar në OSHP, duke pretenduar se kompania fituese e tenderit “Syri Group” ka bërë shkelje të nenit 7.59 dhe 62 të Ligjit të Prokurimit Publik.
“Eksperti shqyrtues në raportin e ekspertizës ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues, gjatë procesit të rivlerësimit të ofertave nuk ka respektuar nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik, duke rekomanduar që kontrata t’i jepet operatorit ‘Syri Group’ nga Prishtina”, thuhet në raportin që e ka hartuar eksperti shqyrtues i OSHP-së.
Më tej, në raport thuhet se operatori ekonomik i cili e ka fituar tenderin, nuk mund të mbulojë as pagesat e domosdoshme të punëtorëve të parapara me Ligjin e Punës.
Gjatë analizimit të dokumenteve, eksperti i OSHP-së ka vërejtur se në dosjen e tenderit kompania është dashur të angazhojë për siguri 92 punëtorë për një muaj, ku me Ligjin e Punës paga mesatare në Kosovë është 130 euro, si dhe Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar, i cili është 16 për qind.
Në bazë të përllogaritjes eksperti i OSHP-së ka konstatuar se pagesa të domosdoshme të kompanisë për punëtorë brenda një muaji janë 13 mijë e 881 euro. Ndërkaq, operatori ekonomik ka konkurruar për 12 mijë euro në muaj.
“Eksperti shqyrtues konstaton se operatori ekonomik i rekomanduar për dhënien e kontratës nuk i plotëson kriteret e vendosura nga Autoriteti Kontraktues, lidhur me respektimin e dispozitave ligjore të Ligjit të Punës”, thuhet në raport.
Esat Tahiri nga kompania “Security Cod” thotë se vlerësimi i OSHP-së është i drejtë, ku sipas tij, lënda duhet të kthehet në rivlerësim.
Por, në anën tjetër Feti Ibishi, nga Ministria e Punës, ka kundërshtuar vlerësimin dhe vendimin e bërë nga eksperti i OSHP-së, duke e arsyetuar Autoritetin Kontraktues.
Ibishi i ka thënë ekspertit të OSHP-së se paneli nuk e ka bërë llogaritjen e pagave të punëtorëve për operatorin ekonomik të rekomanduar për kontratë edhe pse e ka ditur se paga minimale në Kosovë është 130 euro.
Por, në anën tjetër eksperti shqyrtues i OSHP-së, Azem Duraku, thotë se qëndron prapa ekspertizës, pasi që, sipas tij, Autoriteti Kontraktues nuk e ka respektuar Ligjin e Punës.
“Njëri anëtar i komisionit vlerësues ka bërë përllogaritjen e pagave për Operatorin Ekonomik të rekomanduar për kontrata dhe ka konstatuar se ky operator nuk mund t’i përmbushë obligimet e punëtorëve, duke pasur për bazë pagën minimale por Autoriteti Kontraktues nuk e ka marrë parasysh vlerësimin e anëtarit të komisionit vlerësues”, ka thënë Duraku në raportin e tij për këtë tender. (Zeri)