Westerwelle, Kosor dhe Davutoglu vizitojnë Kosovën
Dy ministra të jashtëm dhe një kryeministër do ta vizitojnë Kosovën në dhjetë ditët e ardhshme.
Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, Shefi i Diplomacisë Gjermane, Guido Westerwelle dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoğlu - ndarazi - do të vijnë në Prishtinë, ku do të takohen me zyrtarë të lartë institucionalë dhe partiakë të Kosovës.
I pari do të vijë Guido Westerwelle.
Të enjten ai pritet të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Komandantin e KFOR’it, Erhard Buhler.
Kryediplomati gjerman është i pari zyrtar i lartë i një vendi të BE’së që e viziton Kosovën pas zhvillimeve të fundit në veri dhe duket se do të përpiqet të merret për së afërmi me situatën, pasi të dielën u takua me Ministrin e Jashtëm britanik, Hague.
Lajmin e vizitës e ka konfirmuar Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Dirk Augustin, për mediat gjermane.
Kryediplomati Westerwelle do ta bëjë një udhëtim me helikopter mbi veri, ndërsa në vizitën tri ditësh në Ballkan, do ta vizitojë edhe Kroacinë e Malin e Zi.
Pas takimit me homologun britanik, të dyja vendet lëshuan një komunikatë për zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar të mbrohen kufijtë ekzistues të Kosovës dhe që vendet - Kosova dhe Serbia - të mos e rrezikojnë BE’në.
Detajet e dy vizitave tjera, asaj të Kryeministres kroate dhe Ministritë të Jashtëm turk ende nuk janë bërë të ditura.