E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallgët përmbysin pedalonen, 1 zhduket

Shpëtojnë 4 të afërmit. Një kosovar gjendet i gjallë 1 orë pas rrëzimit nga varka ku ndodhej me shokët.

Ardian Karaj, 21 vjeç, humb në ujërat e Adriatikut, në Spille.

Për ata që nuk dinë mirë notin, shëtitja me pedalone në det përkthehet në humbje jete. Mesditën e djeshme, një 21-vjeçar nga Cërriku ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa katër bashkëmoshatarë të tij rrezikuan të kishin të njëjtin fund. Ngjarja e rëndë është shënuar në plazhin e Spillesë në Kavajë, ndërsa sipas Policisë, i zhdukuri që dyshohet të jetë mbytur, është Ardian Karaj. Pestë të rinjtë, të afërm mes tyre, kishin ardhur nga Cërriku për një ditë plazh. Rreth mesditës ata kishin marrë me qira një varkë me pedale për të bërë një xhiro në det, por pasi janë larguar rreth 60-70 metra nga bregu, pedalonen e kanë përmbysur dallgët. Katër nga të rinjtë: dy motrat Artemida dhe Raisa Balliu, 21 vjeçe dhe 17 vjeçe, Gerti Skënderi, 20 vjeç dhe Anxhela Shabani, 21 vjeçe, kanë mundur të dalin sërish në breg me not, ndërsa Ardian Karaj nuk ia ka dalë. Të mbijetuarit u dërguan me urgjencë në spitalin e Kavajës, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme. Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta të Policisë kufitare, të Rendit, si dhe polumbarë të repartit RRENEA, por me gjithë kërkimet intensive deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk u bë e mundur gjetja e trupit të të riut nga Cërriku. Sipas deklarimeve që të rinjtë kanë dhënë për Policinë, gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Ata kanë thënë se varka e tyre ishte përmbysur nga dallgët, të cilat pas mesditës, për shkak të pozicionit gjeografik që ka vendi ku ndodhi ngjarja, bëhen tepër të mëdha dhe të fuqishme. Të rinjtë kanë thënë se kur kanë rënë në ujë i ka mbërthyer paniku dhe nuk kanë vënë re se ku ndodhej njëri apo tjetri, por janë parë vetëm kur kanë dalë në breg. Sipas tyre, 21-vjeçari është parë të ketë qëndruar i fundit sipër pedalones dhe mendohet se e ka zënë poshtë në kohën që ajo është përmbytur.
Vetëm 1 orë më vonë, një tjetër ngjarje për pak sa nuk është kthyer në tragjedi. Disa të rinj ishin duke shëtitur me një pedalone në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës dhe për pak sa nuk kanë humbur jetën, kur mjeti lundrues me të cilin shëtisnin është përmbysur nga dallgët. Ngjarja ka ndodhur në një distancë rreth 100 metra larg bregut dhe, tre të rinjtë nga Kosova që ndodheshin mbi pedalone, kanë rënë në ujë në një vend ku thellësia arrinte të paktën 5 metra. Dy prej tyre janë ndihmuar nga pushuesit e tjerë që ndodheshin aty pranë, ndërsa njëri prej tyre rezultoi i zhdukur për rreth 1 orë. Për gjetjen e tij u angazhuan polumbarë dhe efektivë të Policisë Kufitare. 18-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është gjetur i rraskapitur, por fatmirësisht gjallë rreth 60 minuta më pas. Atë e kishin nxjerrë dallgët në breg, mbi 700-800 metra larg vendit në të cilin u përmbys varka.

Errësira ndërpret kërkimet
Kërkimet për 21-vjeçarin nga Cërriku janë ndërprerë në orët e mbrëmjes, pasi errësira pengonte kërkimet. Forcat e Policisë dhe polumbarët kanë kontrolluar në një zonë të gjerë, por pa mundur të bien në kontakt me trupin e viktimës. Pritet që ditën e sotme të rinisin kërkimet me të zbardhur dita për djalin e ri, që ditët e fundit të pushimeve të verës iu kthyen në fatalitet.

Një ditë më parë u mbyt 23-vjeçarja
Vetëm një ditë më parë, një 23-vjeçare humbi jetën si pasojë e xhiros fatale me pedalone. Fatime Zyberi kishte dalë shëtitje me kushërinj të saj më të vegjël, por ra në ujë pa mundur të kapet pas mjetit lundrues. Ngjarja ndodhi të hënën, disa metra larg urës së Dajlanit në Durrës. Në tentativë për të dalë në sipërfaqe, e pushtuar nga paniku, e reja rrezikoi dhe jetën e një prej kushërinjve. Trupi i vajzës u gjet nga pushues të tjerë afër bregut, pasi dallgët e kishin zhvendosur nga vendi ku u mbyt. Asnjë roje bregdetare nuk ka në plazhin e Durrësit, ndërsa pushuesit marrin pedalone me qira për t’u larguar drejt thellësisë, edhe pse nuk dinë mirë not.

KAVAJE/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›