E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ngec dosja e bandës së grabitjeve

Drejtoria e Policisë së Vlorës

TIRANE – Prokuroria dhe Policia e Vlorës “vonojnë” dosjen e bandës së grabitësve të arrestuar në këtë qytet. Ndonëse në deklaratën zyrtare u pretendua se Policia e Vlorës kishte bashkëpunuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në hetimin e ngjarjes, aktet e dosjes në fjalë janë përcjellë në Prokurorinë e Vlorës. Kjo e fundit mësohet se ditën e djeshme ka dorëzuar në Gjykatë gjashtë masat e para për personat e arrestuar gjatë aksionit të koduar “Sfida 2″ kundër një grupi të dhunshëm grabitësish të kazinove dhe karburanteve. Të arrestuarit janë shtetasit Nardi Idrizi, Joni Idrizi, Mario Metaj dhe Armando Likaj, të gjithë banues në Vlorë. Ditën e parë të aksionit janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë, me iniciale E.H., M.V. dhe A.D., të tre banues në Vlorë, por dy prej tyre ranë në pranga në Greqi. Sipas Policisë, ky grup personash në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer grabitje në 9 raste nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar, duke vjedhur disa pika karburantesh dhe në një rast një kazino në qytetin e Vlorës. Ata akuzohen se kanë vjedhur me armë karburantin “Flabens”, i ndodhur në rrugën transballkanike; kanë vjedhur 2 herë me armë në kohë të ndryshme karburantin  “Eida”, që ndodhet në lagjen “Isa Boletini”, ndërsa nën kërcënimin e armës kanë vjedhur kazinonë “Flamingo”, që ndodhet në lagjen “Pavarësia”. Duke renditur akuzat, Policia ka thënë se të arrestuarit kanë vjedhur nën kërcënimin e armës pikën e karburantit që ndodhet në lagjen “1 Maji” me pronar shtetasin V.N. Ata gjithashtu kanë vjedhur pikën e karburantit “KASTRATI” e cila ndodhet në lagjen “Partizani”. Një tjetër akuzë ndaj të arrestuarve është se kanë vjedhur me armë pikën e karburantit “ALPET”, që ndodhet në rrugën transballkanike. Në këtë rast, ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të patrullës së përgjithshme të Policisë, duke e dëmtuar atë në disa vende dhe kanë rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë gjatë tentativës për arrestimin e tyre në flagrancë nga policia. Praktika e ndjekur nga Prokuroria e Vlorës, me kërkesën për masën e sigurisë në Gjykatën e Rrethit Vlorë, është një precedent i rrallë. Në rastet e tjera, kur në rrethe bien në pranga persona të akuzuar për vepra penale që janë kompetencë e Krimeve të Rënda, dosja dërgohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që në hapat e parë të hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›