Dallgët përmbysin varkën, 2 zhduken
DIVJAKE/ MAJLINDA RAMA
Dolën në det të hapur për të peshkuar e përfundojnë të mbytur pas përmbysjes së varkës. Ka qenë ky fati i keq i dy peshkatarëve, të cilët kanë humbur jetën në ujërat e Divjakës paraditen e djeshme. Deti i ka përpirë në thellësitë e tij, megjithëse menjëherë u është ofruar ndihmë. Stavri Prendi, 48 vjeç dhe 53-vjeçari Vangjel Trungu kishin dalë për të mbledhur rrjetat e hedhura gjatë natës së të mërkurës. Rreth orës 06:50 të mëngjesit së të enjtes, të dy burrat kanë dalë me varkën e tyre për të mbledhur rrjetat e peshkimit. Era e fuqishme dhe moti tepër i vrenjtur kanë bërë që varka me të cilën dolën në det, Trungu e Prendi, të përmbyset rreth 300 metra larg nga bregu. Rrëzimi në ujë i dy viktimave ka bërë që peshkatarë të tjerë të ndodhur në po të njëjtin vend të drejtohen në ujë për të ndihmuar dy shokët e tyre. Vetë këta të fundit kanë treguar çastet e tmerrit menjëherë pasi kanë ndalur së kërkuari për dy viktimat. “U drejtuam për në brigjet e Divjakës, qysh një natë më parë pasi deti me turbullirë është tepër i favorshëm për të peshkuar. Stavri dhe Vangjeli, pasi hodhën rrjetën, në të gdhirë u drejtuan në det për t’i tërhequr. Deti ishte shumë i turbullt dhe rrymat detare tepër të fuqishme. Megjithë këto kushte moti ata nuk u ndalën, pasi menduan se grumbullimi i rrjetave nuk do të zgjaste shumë, duke parë edhe cektësinë në të cilën ishin hedhur ato. As pesë minuta pasi u drejtuan për në det, barka filloi të lëkundej fuqishëm e pak minuta më vonë u fundos afro 300 metra larg bregut. Menjëherë në morëm një varkë tjetër për të shkuar në drejtim të tyre e për t’i shpëtuar por ishte e pamundur. Deti mbi 7 ballë nuk na lejoi të shkonim shumë larg duke penguar lëvizjen e varkës sonë”. Sipas dëshmitarëve, varka e mbytur përplasej nga dallgët e më pas dy shokët e tyre nuk u dukën më në sipërfaqe. Humbja e dy peshkatarëve është një tragjedi e madhe për familjet e tyre. Peshkimin e kishin të vetmen mënyrë jetese e tashmë familja do të vuajë jo vetëm humbjen e njërit prind, por edhe varfërinë. E ndërsa dhimbja ka pushtuar familjet e viktimave, ata ende nuk kanë një trup ku të derdhin lotët e tyre. Stuhia e fortë e moti i ashpër nuk ka lejuar as polumbarët të kërkojnë me intensitet të plotë. Menjëherë sapo janë lajmëruar këta të fundit, të shoqëruar edhe nga uniforma të shumta policie, i janë drejtuar bregdetit të Divjakës ku dhe janë vënë në kërkim të trupave të mbytur. Polumbarët janë zhytur menjëherë në ujërat e turbullta, por kërkimet janë tepër të ngadalta për shkak të fuqisë së madhe të erës e trazirave të detit. Burime nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se kërkimet vazhdojnë, por ato janë tepër të vështira. Vetë shefi i Komisariatit të Lushnjës, Agron Sulshabani dhe shefi i Drejtorisë Kufitare në Durrës kanë theksuar angazhimin e forcave të policisë për gjetjen e trupave. Në kërkim të trupave shkoi dhe roja bregdetare e Guardia di Financa, por deri në mbrëmje asnjë rezultat. Sapo ka rënë errësira, kërkimet u ndërprenë, për të vazhduar ditën e sotme.