E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrësin e Lazaratit e vrau i vëllai me nusen

 

GJIROKASTER

Lazaratasi i kërkuar nga policia, Adriatik Skënderi nuk është vetë-vrarë, por është qëlluar dy herë me armë zjarri nga vëllai i tij. Policia e Gjirokastrës arriti të zbardhë ngjarjen e ndodhur më 22 shkurt dhe të vërë në pranga Dritan Skënderin dhe gruan e tij, Refike Skënderi (Gjini). Çifti akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim. Specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj personit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës bënë të mundur zbardhjen e kësaj dosjeje pas hetimeve intensive, ndonëse u dyshua për vrasje të pastër që ditën e ngjarjes. Blutë shkuan dje pasdite në fshatin Lazarat, duke i vënë prangat vëllait të viktimës dhe bashkëshortes së tij, të cilët tashmë akuzohen për vrasjen e Adriatik Skënderit. Policia bëri të ditur se ende nuk është konfirmuar nga të arrestuarit shkaku i vrasjes. Por paraprakisht dyshohet se ngjarja të ketë pasur motiv mosmarrëveshjet e vazhdueshme të familjarëve me viktimën për konfliktet e herëpashershme të këtij të fundit nëpër fshat. Në bazë të hetimeve të kryera rezultoi se mesnatën e 22 shkurtit, Adriatik Skënderi, 34 vjeç, u qëllua për vdekje nga ana e të vëllait, Dritanit. Për të fshehur gjurmët e krimit, ai manipuloi me faktet në terren, me armën e zjarrit, shenjat në trup të tij dhe pozicionin e shtrirjes së kufomës në oborr. Ai i pohoi policisë se i vëllai ishte vetëvrarë, e madje në tentativë për ta shpëtuar, ai ishte plagosur edhe vetë. Por ekspertët e policisë kriminale dyshuan për ngjarjen dhe nisën hetimet. Mësohet se nga analizat balistike të kryera tek arma e krimit, rezultoi se ajo është shkrehur në një afërsi rreth dy metra, çka e bën të pamundur versionin e parë, atë të vetëvrasjes. “Pjesëmarrëse në krim ka qenë edhe e shoqja e Dritanit, Refike Skënderi, 27 vjeçe po nga Lazarati. Ajo ka parë të gjithë skenën e ngjarjes”, bënë të ditur burimet policore. Ditën e ngjarjes, 27-vjeçarja deponoi se kishte dëgjuar krisma që vinin nga oborri. Por specialistët e antikrimit pohuan se kanë fakte, të cilat implikojnë edhe bashkëshorten e Dritan Skënderit në vrasje. Sipas policisë, pritet të merret dëshmia e plotë e dy bashkëshortëve, për të konfirmuar edhe dyshimin e tyre për shkakun e kësaj ngjarjeje të rëndë. Por ka dyshime të forta se në momentin e ngjarjes ka pasur një zënkë mes të dy vëllezërve, detajet e së cilës kanë pasur lidhje me qëndrimin e viktimës ndaj familjarëve të tjerë. Viktima ishte burim i konflikteve në Lazarat me njerëz të ndryshëm, çka kishte sjellë herë pas here shqetësime dhe konflikte me të afërmit e tij. Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga policia e Gjirokastrës me akuzën e pengmarrjes, por nuk ishte bërë e mundur prangosja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›