Dallku: Riberi? Mbrotja jonë është “top”
Armend Dallku paraqitet në konferecën për shtyp të ditës së djeshme i qeshur si gjithmonë. Natyrisht, ai e di shumë mirë se kundër Francës ka pak për të qeshur dhe ka recetën e tij për të ndalur Frank Riberin, kundërshtarin e tij direkt. “Duhet të luajmë në bllok, - thotë ai -. Por Franca nuk është Riberi”. Sidoqoftë, Edhe Armend Dallku ka një frymë optimiste në deklaratat që bën. Sipas tij, Shqipëria, me pak fat, mund të bëjë vërtet një befasi ditën e premte, ndërsa shton se me formën që po kalon sulmuesi tjetër që bashkë em të militon te Vorskla, Januzi, mund të jetë një element më shumë në manovrën offensive të Kuzhes. Përtej kartonëve të verdhë (kuqezinjtë janë të mbingopur, 9 lojtarë të ndëshkuar), Armendi është i bindur te reparti difensiv, pasi, më në fund, ky repart është i kompletuar me lojtarë.
Dallku, si do të arrish ta ndalësh Riberin?
Është një prej emrave të mëdhenj të futbollit europian. Kam parë shumë ndeshje të tija, jo vetëm tani meqë po luajmë me Francën. Është një lojtar shumë specifik. Por Franca ka shumë lojtarë cilësorë dhe nuk është e drejtë që të fokusohemi vetëm te Riberi apo te ndonjë tjetër. Nëse luajmë si grup, mendoj se do t’ia dalim jo vetëm Riberis, por ndaj krejt skuadrës franceze.
Ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë, por i kemi humbur në fund dhe kryesisht për faj të mbrojtësve. A ka vend për humbje dinjitoze kundër Francës?
Gjithmonë kur humbet një ndeshje, faji i mbetet mbrojtësit. Shpresoj të kemi një përqëndrim maksimal përgjatë 90 minutave dhe të mos pësojmë gol. Por fati ndonjëherë do që ta pësosh golin si në fillim, ashtu edhe në fund. Megjithatë, duhet përqëndrim deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit.
Në këtë ndeshje, mbrojtja është e kompletuar apo jo?
Është një gjë pozitive për ne, pasi trajneri ka mundësi të manovrojë me shumë lojtarë. Trajneri ka mundësi të spostojë edhe ndonjë mbrojtës në mesfushë dhe me zgjedhjet që do bëhen është gjë e mirë për ne.
Keni më shumë minuta në këmbë se lojtarët e tjerë…
Në periudhën e shtatorit kemi zhvilluar gjithnjë ndeshje pozitive, por këtë vit, në shumë vende fati e deshi që kampionatet të shtyhen. Kurse ne, në lindje, e kemi nisur kampionatin më herët dhe deri tani kemi zhvilluar 15 ndeshje përfshirë edhe Europa League. Por është fundi i fazave përgatitore dhe të gjitha ligat do të nisin këtë fundjavë, ndaj besoj se mungesa e aktivizimit nuk do të ndikojë.
Çfarë po ndodh me Januzin, gola në kampionat dhe në Europa League?
Është momenti i Januzit. Vitet e shkuara nuk ka qenë një titullar fiks, por këtë vit trajneri ka besim tek aid he po luan shumë mirë dhe po bën gola. U dëmtua për nja dy ndeshje, por mjekët bën çmos që ta kthejnë në formë. Jam i lumtur për të dhe për golat e tij pasi po e ndihmon shumë klubin dhe kjo do të ndikojë edhe në kombëtare.
Duket se në Ukrainë do të shkojë edhe Vangjeli…
Ka qenë një periudhë ishim gati 10 veta. Kam biseduar me Vangjelin dhe ma ka konfirmuar këtë ofertë. Është një gjë e mirë kjo për të pasi edhe ekipi ku po shkon është shumë i mirë. I uroj fat edhe suksese.
Në kombëtare kemi shumë lojtarë me karton të verdhë. Si do t’ia bëni kundër Francës?
Jemi 9 veta me karton të verdhë. Do të jetë pak e vështirë për ne, por do të përpiqemi që të ruhemi, por futbolli është i paparashikueshëm.
Armendi për
Europa League
Këtë sezon, Vorskla Poltava ka arritur deri në fazën me grupe të Europa League, një sukses historik për skuadrën ukrainase. Për Dallkun kjo merr më shumë vlera nëse kihet parasysh se ka eliminuar një tjetër skuadër ku militojnë kuqezinj, Dinamo e Bukureshtit e Elis Bakajt. Ndërkohë, fati e vuri Armendin përballë Hanoverit të Lalës. “U takuam me Elisin dhe biseduam para ndeshjes. Megjithatë u kualifikuam ne, pasi kemi luajtur shumë më mirë si në shtëpi ashtu edhe në fushën e Dinamos. Ky është një fakt që kampionati ukrainas është më superior se ai rumun, pasi një skuadër pretendente për titull në Rumani nuk arrin të përballojë dot një ekip mesatar në Ukrainë. Hanoveri?Ja thashë Altinit se kur kemi përballë një skuadër që ka lojtarë shqiptarë, ne fitojmë. Megjithatë, të jemi realistë, kjo që kemi arritur ne deri tani, na bën që të luajmë me qetësi pasi ky është maksimumi,” u shpreh Armendi gjatë konferencës së djeshme.