Duro: Duam rezultat dhe kjo nuk është eufori
Mesfushori veteran i kuqezinjve, aktualisht pa skuadër, pretendon të jetë në formacion kundër gjelave
Klodian Duro pret të sistemohet në ndonjë klub, ku midis të tjerave mund të përmendet edhe Tirana, por kjo nuk e pengon që të kërkojë një vend kundër Francës, ndonëse e di shumë mirë se për ta arritur diçka të tillë është shumë e vështirë, pasi kombëtatrja momentalisht ka konkurrencë të fortë. “Për skuadrën ku do të luaj këtë sezon po merrem intensivisht. Duhet të merrem me të ardhmen time. Gjithmonë i kam kërkuar vetes që të luaj në një kampionat kompetitiv, pa nënvlerësuar kampionatin shqiptar. Tirana? Ajo është si shtëpia ime e kam ndjerë veten shumë mirë, por dua të luaj në një kampionat më të mirë. Çdo lojtar që grumbullohet në ekipin kombëtar e konsideron veten titullar. Nuk ka futbollist që vjen në ekipin kombëtar që të mos e ndiejë veten të tillë. Por në fund të fundit është trajneri ai që vendos për formacionin titullar,” komenton elbasanasi situatën e tij. Më pas, ai fokusohet në përballjen me Francën. Duro e di shumë mirë se Shqipëria ka dhuruar sfida emocionuese përballë emrave të mëdhenj dhe beson se edhe këtë herë, skuadra do të arrijë të bëjë një paraqitje të mirë. “Në të gjithë historinë e ekipit tonë kombëtar më ka qëlluar që të luaj me ekipe që mbajnë peshë në futbollin evropian dhe botëror dhe Franca normalisht hyn tek këto ekipe sepse ka fituar kupën e Botës dhe Europianin. Për mua do të jetë e njëjta ndeshje si edhe kundër skuadrave të tjera të mëdha me të cilat kemi luajtur edhe më parë.” Dhe më pas i vjen radha temës më të preferuar, mundësive që ka përfaqësuesja kuqezi ndaj asaj të gjelave. “Të kërkosh të marrësh rezultat nuk mund të quhet eufori sepse futbolli luhet për tre rezultate dhe në këtë linjë çdo ekip i ka mundësitë reale që të marrë dy rezultate pozitive,” ka përfunduar Duro prononcimin e tij