Dallku drejt Sanderlendit, anglezët japin 1 mln euro
• Kalimi i Armend Dallkut në Sanderlend është çështje ditësh. Klubi anglez ka pranuar kushtet e futbollistit dhe të klubit ku aktivizohet.Kështu të paktën thotë menaxheri i futbollistit Nexhmedin Haxhiu, të hënën. Sipas tij, klubi anglez që drejtohet nga irlandezi Roy Keane, është pajtuar me kushtet e klubit ukrainas Vorskla, ku kosovari është aktivizuar në dy sezonet e fundit. Dëmshpërblimi për Dallkun, sipas Haxhiut, është një milion euro. Kalimin në Sanderlend para vitit të ri e konfirmon edhe vet Armend Dallku. “Kam biseduar me menaxherët e Sanderlendit dhe ata kanë rënë dakord me kushtet e Armendit dhe të klubit, kështu që gjatë ditëve të ardhshme pres të shkojmë në Ukrainë dhe të firmosim kontratën me anglezët”, ka deklaruar Haxhiu. “Vorskla është pajtuar ta lënë të lirë Armendin me kushtin që për të duhet paguar një milion euro dëmshpërblim”.Nëse do të kalojë në Sanderlend, Dallku pritet të firmosë kontratë tre apo katërvjeçare.Dallku ka kontratë me Vorsklan deri në qershor të vitit 2008 dhe nëse do të mbetej në këtë klub deri në verë, atëherë do të mund të kalonte në ishullin britanik në parametrat zero. Vetë futbollisti konfirmon se puna drejt transferimit të tij në Angli po ecën mbarë dhe se ka mbetur të hidhet vetëm firma.Ish-lojtari i Prishtinës dhe Elbasanit, shpreson që kalimi të zyrtarizohet para vitit të ri.“Para vitit të ri besoj të merremi vesh pasi kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla apo më mirë të them mungon vetëm firma ime në kontratë, pasi Sanderlendi ka pranuar kërkesat e mia”, është shprehur ai për gazetën të hënën. “Krerët e Vorsklas tashmë janë pajtuar për transferimin tim, kështu që vetëm pres thirrjen për të shkuar e për të firmosur”.Mbrojtësi vushtrrias ka zbuluar se ditëve të fundit i ka mbërritur një ofertë edhe nga Serie A, përkatësisht klubi ku aktivizohet Erjon Bogdani Livorno.“Kam pasur ofertë edhe nga Livorno pasi drejtori i tyre ka biseduar me Bogdanin dhe më kanë kontaktuar. Mirëpo i kam refuzuar pasi kushtet nuk ishin edhe aq të mira”, tha Dallku. “Po ashtu këtu ka luajtur rol edhe dëshira ime për të luajtur në elitën e Anglisë”. Te skuadra e Vorsklas, ai ka luajtur përkrah dy kosovarëve të tjerë, sulmuesit Ahmed Januzi dhe mesfushorit Debatik Curri. Dallku e Curri janë pjesë e pandashme edhe e Kombëtares shqiptare.curriFutbollisti i Vorsklas, Debatik Curri, gjithashtu ka pasur shumë oferta nga klubet perëndimore, por para se të zgjedhë ndonjërën prej tyre ai duhet të shkojë në Gjermani për kurim. Sipas menaxherit të tij, Nexhmedin Haxhiu, Debatik Curri më 3 janar do të nis kurimin pasi gjatë tërë këtij viti ka pasur dhimbje të muskujve të barkut. Ai ka pasur oferta nga klube gjermane ashtu si edhe nga klube të njohura angleze, ndërkohë që ka qenë vazhdimisht një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares. renditjaShqipëria është ngjitur dy vende më lart në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin dhjetor. Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e 80-të me 407 pikë sa edhe në muajin nëntor dhe janë ngjitur dy pozicione më lart, megjithëse skuadra shqiptare humbi në dy ndeshjet e fundit, madje me Rumaninë bëri një paraqitje vërtet të shëmtuar. Shqipëria është ngjitur dy shkallë për shkak të spostimeve të ekipeve të tjera. Argjentina është skuadra e vitit, në podium janë edhe Brazili e Italia.