Riberi: Altin Lala, lojtari më i urryer
• Dy ditë më parë u shpall futbollisti i vitit në Francë dhe aktualisht cilësohet si një ndër më të mirët në Bundesligën 1.Megjithatë, kur Frenk Riberi pyetet se cili ka qenë kundërshtari më i vështirë që ka hasur deri tani, ai nuk ka asnjë mëdyshje: “Është padyshim shqiptari i Hanoverit, Altin Lala. Ndërhyrjet e tij në ndeshjen me Hanoverin ishin në kufijtë ekstremë, aq sa në çdo moment mund të të shkaktonte dëmtime të pariparueshme”, ka thënë francezi i Bajernit të Mynihut në një intervistë të dhënë për “spoX”. Emri i mesfushorit shqiptar është ngulitur thellë në memorien e yllit transalpin, pas ndeshjes që u luajt më 25 gusht në “Allianz Arena”, e cila përfundoi me rezultatin 3-0 në favor të bavarezëve. Riberi ka thënë se është mësuar me lojën e fortë dhe të ashpër, por ndërhyrjet e Lalës ishin vërtet të rrezikshme. “Lala u ndëshkua në atë takim me karton të kuq dhe mund të them se e meritoi të dilte nga loja, sepse ishte vërtet shumë i ashpër. Me ndërhyrjen që bëri kundër meje, për pak sa nuk më masakroi”, ka shtuar Riberi. Mesfushori nuk ka harruar të shfaqë ironinë tipike të francezëve, teksa ka lënë të kuptohet se ish-kapiteni i Hanoverit, Altin Lala, nuk shfaqi sportivitet në fushë: “Kundërshtarët e mi shtohen gjithnjë e më shumë, sepse sa më lart të ngjitesh, aq më të vështira bëhen gjërat. Megjithatë unë mendoj se ata gjithnjë kanë ruajtur normat e sportivitetit në fushën e lojës, me përjashtim të ndonjë rasti, ku ndonjëri e ka nisur ndeshjen me dëshirën për të më thyer këmbët”.