E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallku, në formacionin e javës në Ukrainë

Mbrojtësi

Humbja minimale që Vorskla Poltava pësoi në fushën e Dinamos së Kievit nuk e ka zbehur paraqitjen e mirë të Armend Dallkut. Pas lojës së mirë përballë kryesuesve të Vyscha Ligas, mbrojtësi i Kombëtares kuqezi është përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 20-të. “Lojtari shqiptar i Vorsklas ka neutralizuar plotësisht tentativat e Dinamos për të sulmuar nga krahu i majtë. Fillimisht Dallku e detyroi trajnerin Gazajev që të largonte nga fusha Jarmolenkon menjëherë sapo mbaroi pjesa e parë. Ndërkohë, zëvendësuesi i tij, braziliani Magrao, u detyrua vazhdimisht që të luante në qendër, ose të spostohej në krahun e djathtë të sulmit”, theksohej në vlerësimin për mbrojtësin 26-vjeçar. Dallku u aktivizua përgjatë gjithë 90-minutëshit të lojës, ashtu sikurse edhe dy lojtarët e tjerë kuqezinj, Debatik Curri e Ahmed Januzi. Ai vazhdon të jetë një prej pikave të forta të skuadrës nga Poltava, që kërkon të largohet nga “zona e ftohtë” e klasifikimit në elitën e futbollit ukrainas.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›