Murinjon e mund dhe i jap një gotë
E ka marrë parasysh humbjen mediatike, por sigurisht jo atë në fushë. Karlo Ançeloti e di që pa filluar, se nuk është ndeshje kundër Zhoze Murinjos. Vetëm dëmtimi i Bekhamit mund të tërheqë vëmendjen e TV-ve dhe tabloidëve më shumë sesa rikthimi i “Special One” në “Stamford Bridge”. Dhe jo fjalët e teknikut në fuqi, që ndër të tjera, nuk mundet të mos flasë për Bekhamin e Murinjon. Prandaj më mirë që ta nisë nga rivali, dhe ta heqë qafe atë mendim: “Për të do të jetë një mbrëmje speciale dhe mendoj se tifozët tanë do t’i garantojnë një pritje të mirë, siç e meriton. Por pastaj, ndeshja do të jetë krejt tjetër gjë. Zhoze ka një eksperiencë të madhe, ka fituar një Champions dhe shumë tituj në vend të ndryshme. Edhe unë kam fituar në Europë, prandaj nuk besoj se ne trajnerët do të bëjmë diferencën, por do të vlejë guximi, forca, cilësia, që do të tregojnë në fushë lojtarët”. Marrëdhënia mes të dy trajnerëve është jo fort e mirë: “Besoj se do të flasim, por vetëm pas ndeshjes. Cilido që të jetë rezultati, nëse ai do të dojë, ne mund të diskutojmë, ndoshta edhe me nga një gotë verë përpara. Unë do ta mund dhe do t’i ofroj një gotë, kështu ndodh në Angli...”. Ançeloti e ka parë ndeshjen e Interit ndaj Katanias, por nuk duket dhe aq i qetë: “Unë duhet të marr masat për Interin më të mirë, jo atë që të së premtes. E di që janë një skuadër e fortë, e di që do të japin maksimumin. Humbja në Katania mund t’i vërë nën presion, por edhe të jetë një stimul për t’u kundërpërgjigjur sërish në fushë. Gjasat nuk janë detyrimisht negative”. Ançeloti nuk e dinte ende për mosgrumbullimin e Balotelit, por nuk kujdeset shumë se si do të luajë Interi: “Sipas formacionit të tyre do të bëjmë ndonjë rregullim të vogël, por gjithsesi, ne do të luajmë ndeshjen tonë. Interi i Murinjos nuk humbet kurrë dy herë radhazi? Do të provojmë ta ndryshojmë këtë tendencë”. çelsi është stërvitur dje pasdite, por emergjenca qëndron te porta. Turnbull duket se do të jetë titullar: “Për momentin do të luajë Turnbull. Duket i pamundur rikuperimi i çeh dhe Hilarios, nuk duhet të rrezikojmë me asnjërin prej tyre, edhe sepse Turnbull tregoi siguri kundër Uest Hemit. çeh deri tani nuk është stërvitur, ndaj është e vështirë të mendosh se do të luajë: sigurisht, ka më shumë eksperiencë e Trunbull, që nga ana e tij ofron entuziazëm”. Edhe pse Ashli Kol do të rikthehet në fund të sezonit, tani janë rikuperuar Zhirkov (luan në të majtë) dhe Karvajo (në qendër). Nga fitorja ndaj Zolës kanë ardhur sinjale të mira jo vetëm nga infermieria: “Ndeshja me Uest Hemin ishte e rëndësishme, sepse na ka rikthyer besimin në kapacitetet tona, në futbollin tonë. Nëse do të luajmë siç dimë, mund t’ia dalim”. Ndeshja me Interin është një hap i rëndësishëm edhe për aventurën londineze të Ançelotit: “ëndrra ime është të sjell trofeun në ‘Stamford Bridge’, por kjo ndeshje do të jetë një hap i rëndësishëm drejt arritjes së objektivit. E di që do të jetë e vështirë, por do të synojmë të bëjmë të njëjtën punë siç e kanë bërë mirë edhe Arsenali e Mançester Junajtid”. Nga ëndrrat që qëndrojnë në këmbë tek ato që janë sfumuar: në veçanti ajo afrikano-jugore e Bekhamit. I pari që e riktheu Bekhamin në Europë, pas transferimit amerikan, ishte pikërisht Ançeloti: “Ndiej keqardhje të madhe për Bekhamin, sepse e di se sa e dëshironte të luante në Botëror. E kërkonte që vitin e kaluar me ne te Milani. I uroj një rikthim të shpejtë. Nuk dua të bëj bilancet e karrierës së tij. Nuk ka përfunduar ende”.
#