E Shtunë, 31 Tetor 2026

Markeljani, cubi i shekullit të XXI-të

Janë shpenzuar shumë përkufizime për Markeljan Cungun, imcakun bjond me fillore të cunguar që është bërë tmerri i banesave dhe xhepave individëve në Shqipëri. Historitë me cubin e mitur nga Mirdita nuk kanë të sosur, sidozot Markeljani shpesh pa të keq është krijuar ideja e një sinonimi me kleptomaninë, d.m.th i zhvatjes pa hesap e që zakonisht Ai është klient i rregullt i “hoteleve” të rajoneve të policisë. Kemi të bëjmë me një turist ditor të qelive të ftohta e disa herë asfiksuese.
Ende pa mbushur 12 vjeç, ai ka koleksionuar plot 560 shoqërime në ambientet e paradhomës së burgut me një curriculum vitae për t’u pasur zili nga “kontingjenti i krimit” me plot 1000 dëftesa për tjetërsim pasurie. Sigurisht për shkak të moshës së mitur, policia bën të mundur vetëm shoqërimin e tij, duke e ndaluar, pyetur dhe sqaruar për gabimin. Por sipas meje - Markeljan Cungu, nuk është një hajdut tipik (pasi një hajdut nuk prangoset 560 herë në jetë!), por mbetet, derisa të mbërrijë pjekurinë, një minoren i cunguar emocionalisht, çka dëften hapur analfabetizmin moral të edukatës shtëpiake dhe shoqërore të tij. Policia para ca kohësh pati zbuluar një pjesë të asaj çka e shtynte minorenin të kryente këto gjeste: ai deklaroi se “Unë nuk vjedh se kam nevojë për para, por vjedh se kam qejf. Të gjitha paratë që vjedh, i shpenzoj brenda pak orësh. Nuk fshihem se policia nuk mund të më bëjë asgjë”. Markeljani është viktimë e një Hajduti imagjinar që i ka vjedhur normalitetin e fëmijërisë, prandaj gjestet e tij janë kaq sfiduese. Kuptohet "Dua të vjedh, e kam hobi" - ka pohuar në polici.
Gjithsesi amplifikimi mediatik i “cubllëkut” të tij veçse e shton më shumë amplifikimin e vesit të zhvatjes, për t’u identifikuar në shoqëri. Markeljani përveç profesionit të “vjedhjes” frenetike nuk ka asnjë hobi tjetër, asnjë lodër ku të luajë, asnjë libër që të lexojë, s’ka prind që ta edukojë. Prandaj atij i është krijuar ideja se është i rritur, dhe për rrjedhojë të menaxhojë jetën e tij në sajë të “cubllëkut”. Rasti i Markeljanit ose përndryshe “çengeli” siç thonë fansat e bëmave të tij tregon varësinë fëminore ndaj “mitologjisë” të krijuar në mënyrë artizanale, me mjete rudimentale. Ai është një “çengel” që varet nga vesi i tij, dhe kjo është aq e dukshme sa të gjithë nuk e shohin. Një Robin Hud në të kundërt, një version shqiptar i të jashtëligjshmit ku nuk është pylli i Shervudit por xhungla e betonit të kryeqytetit. Me pak fjalë kemi të bëjmë me një rast flagrant të një individi pa formësim karakterial që të vetmin moment identifikimi me identitetin e tij është plaçka e marrë. Ai i del-egon personalitetin gjestit prandaj vjedhja në këtë moshë kaq të vogël ka trajta kompulsive, bile në disa aspekte heroike. Gjestet “grabitqare” të imcakut-kleptoman, mania e tij për të vjedhur dëftejnë veç dëshirën për t’u “qortuar” nga shoqëria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›