E Shtunë, 31 Tetor 2026

Damian Bollano dyshohet se është pjesëtar i grupit gueril “Komploti i celulave të zjarrit”.

Autori i Lajmit: red.
Tre prej të arrestuarve janë studentë dhe pinjollë familjesh me pozitë të lartë shoqërore.

Një emigrant shqiptar është shpallur në kërkim pasi akuzohet se është pjesëtar i grupit gueril me emrin “Komploti i celulave të zjarrit”. Grupi akuzohet për dhjetëra shpërthime të ndodhura vitet e fundit në Athinë. Sipas medias helene, mësohet se në shtëpinë e Damilan Bollanos, 29 vjeç, me kombësi shqiptare, është gjetur një granatë e gatshme për t u përdorur.
Hetimet
Një emigrant shqiptar është shpallur në kërkim me akuzën për pjesëmarrje në organizatë terroriste. Lajmi është bërë publik nga BBC, sipas të cilës mësohet se emri i 29-vjeçarit, si dhe i pesë personave të tjerë, shtetas grekë, u publikua nga Prokuroria, pas marrjes në pyetje të një grupi prej katër vetësh që dyshohet se janë pjesëtarë të grupit gueril me emrin “Komploti i celulave të zjarrit”.
Arrestimi
Arrestimet u kryen pasi njësi të shërbimit antiterror bastisën një banesë në lagjen Halandri të Athinës, që sipas policisë, ishte bazë e gueriljeve. Policia bëri të ditur se në banesë u gjet një bombë e gatshme për t u përdorur, detonatorë dhe një sërë materialesh të tjera që përdoren për përgatitjen e bombave, si dhe materiale propagandistike. Pas marrjes në pyetje në fundjavë, kundër të arrestuarve u komunikuan akuza që lidhen me pjesëmarrje në organizatë terroriste, armëmbajtje pa leje, shkelje të ligjit për lëndët eksplozive dhe posedim lëndësh narkotike, ndërsa të martën do të dalin në gjykatë. Katër të arrestuarit, të identifikuar si Harilaos Hatzimichelakis, Emmanouil Yio-Spas, Myrto Panteloglou dhe Panajotis Masouras përballen me akuza të përfshirjes dhe pjesëmarrjes në sulmet me bomba, anëtarësimi në një organizatë kriminale dhe posedim të paligjshëm të eksplozivëve.
Akuzat
Akuzat kanë lidhje me sulmet në shtëpinë e zv.kryetarit të PASOK-ut, Louka Katseli, të mërkurën e kaluar dhe një sulmi tjetër në korrik të 2009, ku në shënjestër ishte shtëpia e ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Panajotis Hinofotis. Mediat greke shkruajnë se të dyshuarit janë identifikuar si Giorgos Nikolopoulos, Michalis Nikolopoulos, Damianos Balanos, Giorgos Karayiannidis, Eleni Contopoulou dhe Constantinos Karakatsanis.

Dy shpërthime kanë ndihmuar policinë për të gjetur banesën që konsiderohet si bazë e guerilasve dhe që survejohej prej disa javësh. Policia tani po heton për lidhje të mundshme midis organizatës në fjalë dhe dy organizatave të tjera shumë të rrezikshme, Sekti i Revolucionarëve dhe Beteja Revolucionare , që kanë marrë përgjegjësinë për disa shpërthime dhe atentate vdekjeprurëse kundër forcave të policisë, që u shënuan pas trazirave të dhjetorit të vitit të kaluar.
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›