E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti që kërcënon me vetëvrasje

Autori i Lajmit: Augustin Palokaj
Bosnja si shtet jofunksional, Kosova si shtet “inekzistent“, shoqëria e alivanosur në Maqedoni dhe refuzimi i Serbisë të përballet me të kaluarën e saj të afërt, janë shqetësimet më të mëdha për një prosperitet në Ballkan dhe ecjen e rajonit drejt integrimeve evropiane
Thënia se „Ballkani ka krijuar më shumë histori sesa që mund të konsumojë“ dëgjohet shpesh në Bruksel sa herë që flitet për problemet historike, të cilat jo rrallë, në mënyrë irracionale, paraqiten edhe si pengesa në një proces praktikë siç është ndërtimi i politikës së fqinjësisë së mirë, bashkëjetesa me grupet e tjera etnike dhe si rrjedhojë edhe në proceset e integrimit në familjen evropiane-perëndimore.
Këto ditë në Bruksel, me marrëveshjen e Sllovenisë dhe Kroacisë për zgjidhjen e mospajtimeve disavjeçare rreth caktimit të vijës kufitare në det, është rritur një dozë optimizmi se edhe popujt dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit do të racionalizohen dhe do të ndihmojnë e jo pengojnë fqinjët në integrime evropiane. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillaray Clinton, kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeldt, dhe shumë diplomatë kanë thënë se Marrëveshja sllovene-kroate është një shpresë edhe për të tjerët në rajon. Me këtë marrëveshje është zhbllokuar procesi i negociatave të Kroacisë për anëtarësim në BE. Rasti i dytë ku pritet një marrëveshje „racionale“ është ai i Maqedonisë, të cilën Greqia e pengon për shkak të mospajtimit rreth emrit. Përderisa dallimet mes Kroacisë dhe Sllovenisë disi kishin kuptim, pasi që bëhet fjalë për mbi 100 kilometra hapësirë detare, e deti paraqet pjesë të territorit të shtetit, çështja e emrit të Maqedonisë duket si një debat irracional filozofik me përmasa dhe pasoja politike.
Për këtë shkak edhe është e vështirë të pritet ndonjë sjellje racionale e politikanëve rreth një debati irracional. Sidomos kjo ka të bëjë me Maqedoninë ku e tërë shoqëria, prej politikanëve e mediave e deri tek akademikët sillet sikur të ishte e alivanosur. Dhe kjo „alivanosje“ ka ndodhur sidomos pas refuzimit të NATO-s që të ftojë Maqedoninë për t u bërë anëtare e saj në kohën kur u bënë Shqipëria dhe Kroacia. Çfarë ndodhi në Maqedoni pas kësaj? Ndodhi një lloj përgjigje që shpesh quhet si „kërcënim me vetëvrasje“. Maqedonia filloi t i bëjë probleme vetes. Filloi edhe më shumë të acarojë raportet me Greqinë. Porositi buste të reja të Alexandrit të Madh, emëroi stadiume, rrugë dhe sheshe me emrin e këtij luftëtari antik. Në anën tjetër u shpallën zgjedhjet e hershme dhe ato u dominuan me një retorikë nacionaliste. E nacionalizmi në Maqedoni ushqehet me ndjenjat antishqiptare edhe kur orientohet kundër Greqisë. Se ku arrin çmenduria e një shoqërie në një rast të tillë dëshmoi edhe spoti në një televizion maqedonas ku hiç më pak se Zoti u drejtohet maqedonasve për t i bindur ata se kush janë. Mes të tjerash Zoti i madh u thotë atyre se jo vetëm se janë pasardhës të Aleksandrit të Madh, por ata janë edhe fara e racës së bardhë. Kjo u duket e pabesueshme të gjithë atyre që nuk e kanë parë këtë spot televiziv dhjetëminutësh. „Kur Zoti krijoi njeriun ai krijoi tri raca: Racën e zezë, negridët, nacën e verdhë, mongoloidët dhe racën e bardhë maqedonoidët“, ishte zbulimi i paraqitur në atë spot, të cilit edhe ideologu i propagandës naziste të Hitlerit, Gebelsi, do t ia kishte lakmi. Maqedonia u bë edhe objekt tallje edhe objekt keqardhje. Dhe nuk është për t u çuditur se akademikët e një vendi të tillë shkruajnë në enciklopedi gjëra të tilla për shqiptarët çfarë kanë shkruar. Ato enciklopedi askush nuk do t i marrë si referencë pos që do të shërbejnë për rritjen e hendekut ndëretnik në Maqedoni dhe për ftohjen e raporteve të Maqedonisë edhe me fqinjët në Shqipëri e Kosovë, krahas raporteve të acaruara që kanë edhe me Greqinë e Bullgarinë.
Bashkimi Evropian po përgatit që vitin e ardhshëm të zhvillojë një samit të BE-së me vendet e Ballkanit në dhjetëvjetorin e Samitit të Zagrebit. Ideja është që të bëhet një inventurë e procesit të stabilizimit afatgjatë të rajonit të Ballkanit dhe integrimit të këtyre vendeve në BE. Deri në atë samit Kroacia mund të përmbyllë negociatat për anëtarësim. Maqedonia mund t i ketë filluar ato negociata, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina do të kenë procedurat e aplikacionit në shqyrtim. Kosova do të përmendet disi ndonëse e ka futur BE-në në hall pasi që nuk mund ta konsiderojë Kosovën si shtet. Këto do të duhej të përmendeshin si të arritura për Ballkanin.
Bosnja si shtet jofunksional, Kosova si shtet „inekzistent“, shoqëria e alivanosur në Maqedoni dhe refuzimi i Serbisë të përballet me të kaluarën e saj të afërt janë shqetësimet më të mëdha për një prosperitet në Ballkan dhe ecjen e rajonit drejt integrimeve evropiane. Këtu Maqedonia ka humbur më së shumti sepse është vend, i cili ecën prapa në kohën kur të tjerët, ndonëse me hapa të ngadalshëm ecin disi përpara. Ka qenë shteti i parë që ka bërë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa duket se do të mbetet i fundit në këtë rrugë. Akademikët maqedonas duket se marrin mësim nga kolegët e tyre të Serbisë. Rezultatet e zbulimeve të akademikëve serbë para njëzet vitesh jo vetëm se e kthyen Serbinë në të kaluarën, por e përgjakën edhe tërë rajonin. Sot janë kohëra të tjera dhe bashkësia ndërkombëtare e ka mësuar mësimin dhe nuk do të tolerohet më ndonjë aventurë nacionaliste luftarake. Por është për keqardhje që sot në një shtet që pretendon se i është bërë e padrejtë dhe do të integrohet në BE të ketë akademikë që shkruajnë sikur të ishin alkoolistë që pinë në kafenetë e një fshati e debatojnë për teoritë e konspiracioneve të fqinjëve, të cilët asnjëherë nuk paskan pasur qëllim tjetër pos uzurpimit të tokave të tyre. Me akademikë të tillë nuk ia vlen të hysh në debat, por është e mjerë ajo shoqëri që i ka sepse duan të ecin kah e kaluara, në kërkim të identitetit të tyre, duke mos pasur as fije respekti për ndjenjat dhe identitetin e të tjerëve. Kjo është rrugë kah humnera për një shoqëri.
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›