E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nano-Meta-Berisha nuk mund të përbaltin zgjedhjet në PS”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari në detyrë dhe kandidati për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, e vlerësoi procesin zgjedhor në këtë parti si më demokratikun duke pohuar se duhet ta adaptojnë dhe partitë e tjera politike, pasi është një proces ku vendimmarrja e anëtarit të thjeshtë rritet. Komentet e tij u bënë pas votimit në njësinë numër 2. “Është një moment i bukur në jetën e një partie, e në këtë rast në jetën e PS-së që në fakt në Shqipëri është e vetmja forcë politike e cila u jep mundësi të gjithë anëtarëve e anëtareve që të vendosin me votën e tyre për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë. Është e pashmangshme që partitë politike në Shqipëri të demokratizohen dhe roli dhe fuqia e anëtarit të partisë të rritet duke filluar nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë për kryetarin e partisë”, - tha ai. Rama ka shtuar se procesi zgjedhor në PS ishte i natyrshëm dhe real po aq sa edhe i vështirë për shkak të pengesave. “Ky është një proces i natyrshëm e njëkohësisht real e për këtë arsye ka qenë dhe një proces që ka pasur vështirësitë e veta. Ashtu si kundër ka qenë një proces të cilin Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, kompania e tyre, altoparlantët e tyre kanë bërë çmos që ta përbaltin, kanë bërë çmos që ta cenojnë. Kanë bërë çmos që ta zhvlerësojnë, sepse është një proces që tregon në fakt se PS është vërtet forca më e madhe e më demokratike në Shqipëri e se është pa asnjë dyshim një pengesë e pakapërcyeshme për projektin e tyre, për ta kthyer Shqipërinë në një skemë të mbyllur dhe për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet interesash që s kanë të bëjnë me interesat e popullit”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›