Damir Fazliç: Nuk kam kryer pastrim parash në Shqipëri
Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazliç, nëpërmjet avokatëve të tij, ka reaguar dje duke hedhur akuza ndaj prokurorisë për një proces hetimor të parregullt. "Seanca e fundit gjyqësore kundër sekuestrimit të njëanshëm nga prokurorët të pasurive në Shqipëri të Damir Fazliç qe njëkohësisht irrituese për të, por edhe konfirmim i pafajësisë së tij. Ishte irrituese, pasi avokatët mbrojtës të Fazliç shkuan në seancë të përgatitur për të demonstruar që sekuestrimi nga ana e prokurorëve është i paligjshëm nën ligjin shqiptar dhe për më tepër i gjithë hetimi është krejtësisht i pabazë, por i nxitur vetëm e vetëm nga historitë keqdashëse dhe të pavërteta rreth tij, nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar", thuhej në njoftimin e avokatëve. Sipas tyre, avokatët e patën krejtësisht të pamundur ta bënin këtë gjë, pasi prokurorët, krejtësisht të papërgatitur për të provuar të kundërtën, kërkuan zgjatje kohe brenda së cilës të mund të përgjigjen dhe të përpiqen të justifikojnë veprimet e marra që një muaj më parë. Njoftimi vijon se "fakti i thjeshtë se prokurorët e kishin të pamundur të procedonin, provon vërtetësinë e qëndrimeve të Fazliç". Fazliç mohon kategorikisht që atij t‘i jetë dhënë qoftë edhe një diçka e vetme nga kushdo qoftë në qeveri.