E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA kap të shumëkërkuarin me nofkën "Keqi"

Forcat e specializuara të RENEA-s dhe policia e Krujës kanë vënë në pranga një të shumëkërkuar, që konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Shumë aksione për kapjen e tij kishin dështuar, deri paraditen e djeshme, kur në operacion janë përfshirë dhe forcat e RENEA-s. I njohur dhe me nofkën "Keqi", Gentjan Deliu është kapur nga blutë e Krujës ditën e enjte, pasi ishte shpallur në kërkim policor prej më shumë se dy vjetësh. Ai kërkoje për kanosje dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Më 18 prill të vitit 2006, në fshatin Gramëz, të zonës së Thumanës, Keqi qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. Zherri, i cili po udhëtonte me automjetin e tij. Gentjan Deliu (Keqi) ka qenë dënuar edhe më parë për vjedhje me armë dhe gjatë kohës që ishte në kërkim, ndaj tij kanë filluar edhe 3 çështje penale për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, të cilat janë ende në proces gjyqësor. Strukturat policore të Krujës kanë dështuar disa herë në kapjen e tij, që u realizua ditën e djeshme, rreth orës 10:30, si rezultat i bashkëveprimit me forcat e repartit special RENEA, të cilat kanë luajtur një rol kyç në kapjen e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›