E Diel, 1 Nëntor 2026

Damir Fazlliç, 5 mijë euro llogari bankare në Shqipëri

Prokuroria bllokon shuma të papërfillshme parash në banka, për një biznesmen që ka deklaruar se ka 50 mln euro pasuri

TIRANË- Megjithese ka deklaruar publikisht se ka 50 milionë euro pasuri, llogatitë bankare e nxjerrin Damir Fazlliçin një biznesmen “të varfër”. Prokuroria e Tiranës ka marrë përgjigje nga 19 kërkesat e dërguara filialeve të bankave në Shqipëri, nga ku ka rezultuar se llogaria me e madhe e tij është 5 mijë euro. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë njësisë së Task-Forcës, të cilët shtuan se deri mesditën e djeshme në prokurori janë depozituar rreth 10 përgjigje të bankave të niveleve të ndryshme në vend. Sipas këtyre burimeve, mësohet se nga llogaritë e ngrira tashmë me urdhër të prokurorëve Besnik Cani e Dritan Rreshka, kanë shuma të papërfillshme parashpër një biznesmen që ka kryer transaksione në vlerën e 1 milion e 750 mijë eurove. “Nga përgjigjet e ardhura deri më tani nga bankat rezulton se shuma më e madhe që është ngrirë nën emrin e shtetasit Damir Fazlliç dhe kompanive që ai drejton është 5 mijë euro, shumë kjo e papërfillshme për dyshimet që janë ngritur ndaj tij. Ne si prokurori, po presim për çdo ditë të gjitha përgjigjet e kërkesave tona, me anë të cilave kemi kërkuar bllokimin e këtyre llogarive bankare deri në një vendim tjetër”,-thanë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Mësohet gjithashtu se prokuroria, përveç sekuestrimit të llogarive bankare të 6 kompanive të mikut të kryeministrit, Damir Fazlliç ka bllokuar edhe pronat që ndodhen në emrin e këtyre kompanive. Ndërkaq, hetuesit e kësaj dosjeje kanë urdhëruar dhe bllokuar pronat dhe llogaritë bankare të shtetasit Erion Isufi, prona e llogari këto të hapura pas vitit 2005, kohë që për organin e akuzës rezulton të ketë punuar si administrator në një nga kompanitë e shtetasit Damir Fazlliç, kompani kjo e shitur dhe blerë po nga kompania e tjetër e Fazlliçit që ndodhet me qendër në Qipro. Gjithashtu, për llogari të prokurorisë janë sekuestruar edhe llogaritë bankare të dy kompanive të tjera, “Megatek” sh.a, dhe “Global Construction” sh.a. që janë në pronësi të shtetasit Dionis Teqja. Arsyeja e këtyre sekuestrimeve, sipas prokurorisë është ortakëria 50 % me 50 % e Teqes me Erion Isufin në kompaninë “Reno Albania” sh.a. Këto sekuestrime, avokatët mbrojtës i kanë kundërshtuar, duke e cilësuar prokurorinë si një inkuizitor i kohës së kaluar, me pretendimin se “nuk mund të bllokohen pronat dhe llogaritë bankare të një personi, ku ndaj tij nuk ka procedim penal”.

Avokatët mbrojtës të shtetasve Erion Isufi dhe Dionis Teqja kanë dorëzuar në gjykatë me 14 tetor dy kërkesë padi për heqjen e sekuestros së llogarive bankare të kompanive të tyre, me pretendimin se nuk kanë lidhje me shtetasin Damir Fazlliç. Këto pretendime të mbrojtjes, prokurorët i kanë kundërshtuar duke u shprehur për “Shekullin” se “shtetasi Erion Isufi ka qenë administrator i personit ndaj të cilit po hetohet kryesisht për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”. Në kohën që ai punonte si administrator, kompania që ai drejtonte i është shitur kompanisë “Altaria Reserch Limited” me qendër në Qipro, kompani për të cilën vetë Damir Fazlliç ka pretenduar se është e tija. “Kemi dyshime se kjo shitje është bërë fiktive dhe paratë e ardhura në Shqipëri janë përdorura për pastrimin e tyre”,-thuhet nga prokuroria. Gjithashtu, mësohet se mesditën e datës 8 tetor, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka ardhur në Shqipëri duke përdorur dokument udhëtimi dhe jo pasaportë, ku sipas prokurorisë kjo është verifikuar në sistemin TIMS të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›