E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Qeveria, ndërhyrje në punët e gjyqësorit

OSBE, kritike për draftet e miratuara nga Alibeaj: “Nuk po respektohet ndarja e pushteteve. U shpërfillën sugjerimet e ndërkombëtarëve”

TIRANË - Ndërkombëtarët janë në një zë kur bëhet fjalë për ndërhyrjet e qeverisë tekpunët e gjyqësorit. Dy draftet mjaft të përfolura nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, pikërisht ai i për prokurorinë dhe administratën gjyqësore, janë parë me nota kritike edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Në raportin e bërë publik para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Ambasadori Robert Bosch, citon qartë se, draftet në fjalë, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve. “Deri më sot, dy projektligjet, të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin brenda gjyqësorit, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve dhe ato nuk u diskutuan si duhet me aktorët kyç përpara se të paraqiteshin zyrtarisht. Në përgjigje të kritikave nga bashkësia kombëtare, tani po zhvillohen konsultime”, - thuhet në raportin e përgatitur nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë. Ambasadori i OSBE-së përmend në raportin e përgatitur edhe një sërë projektligjet të tjera që janë përgatitur në muajin Tetor, për të cilat u shpërfillën komentet e bashkësisë ndërkombëtare. “Këshilli i Ministrave miratoi një sërë projektligjesh për Profesionin e Avokatit dhe Noterit, Gjykatat Administrative dhe Shërbimin e Përmbarimit me qëllim, siç pretendohet, që ta përafrojë legjislacionin kombëtar me standardet e BE-së. Megjithëse është ende herët për të komentuar mbi hollësitë e këtyre ligjeve, mund të vërehet se ato u miratuan ose pa iu nënshtruar një procesi të plotë konsultimi publik, ose duke shpërfillur komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare”, - thuhet në raport. Ambasadori i OSBE-së tha gjithashtu se, Kuvendi vazhdoi të shqyrtonte legjislacionin sa i përket një tjetër drafti, ai për ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, duke u përqendruar kryesisht te bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Për draftin në fjalë, OSBE-ja shprehet skeptike nëse do të gjendet një zgjidhje e kënaqshme, duke qenë se as një vit nuk na ndan nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Diskutimet nisën në verë dhe vazhdojnë në vjeshtë. Shpresohet që tani do të lejohet koha e mjaftueshme që ligji të shqyrtohet nga Kuvendi dhe e gjithë shoqëria civile, duke mbajtur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Gjithsesi, duke qenë se Shqipëria është futur në një vit zgjedhjesh, mbetet për t’u parë nëse do të gjendet një zgjidhje e kënaqshme dhe e qëndrueshme për këtë çështje në të ardhmen e afërt”, - thuhet në raport.

Pikat kryesore të raportit të OSBE-së

Ngritja e grupit të ekspertëve, (për Gjykatën e Lartë) qetësoi situatën dhe për këtë i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide.

Në Polici, në fushën e emërimeve dhe largimeve, vendimet janë marrë nga instanca të larta politike.

Në administratë, vazhdon të mbetet problem niveli i përkatësisë partiake, i përdorur në procesin e rekrutimit.

Çështjet e pazgjidhura të pronës, kanë frenuar investitorët e huaj.

Hetimet për tragjedinë e Gërdecittë vijojnë pa ndërhyrjen e politikës.

Zyrtarë të lartë publikë dhe grupe kryesore të krimit të organizuar, mbeten ende “në gjendje të lirë.

Perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit, të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur.

Procesi për reformën zgjedhore deri më sot ka vazhduar i ngadaltë, në pritje të miratimit përfundimtar nga ana e Kuvendit në tetor.

Për draftin e “spiunëve” mbetet për t’u parë nëse do të gjendet një zgjidhje e kënaqshme dhe e qëndrueshme.

Ndryshimet në ligjin për prokurorinë dhe projektligji për administratën gjyqësore, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve.

Për draftet për Profesionin e Avokatit dhe Noterit, Gjykatat Administrative dhe Shërbimin e Përmbarimit me qëllim, u shpërfillën komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare.

Konflikti për Gjykatën e Lartë, OSBE-ja mbështet Topin

TIRANË - Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka vlerësuar rolin e Presidentit të Republikës në zgjidhjen e konfliktit të shfaqur për miratimin në Kuvend, të gjashtë kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ambasadori i OSBE-së citon në deklaratë se në muajin qershor 2008, gjashtë vendet vakante për Gjykatën e Lartë ngjallën debat. Pikërisht mbi këtë çështje, Ambasadori i OSBE-së, është ndalur jo pak, duke argumentuar në mënyrë të hollësishme procedurën e ndjekur. “U zhvilluan debate të ndezura në lidhje me çështjen, nëse Presidenti veproi në mënyrë kushtetuese në procedurat e emërimeve për Gjykatën e Lartë. Qeveria argumentonte se Presidenti, paraprakisht, duhet të kishte hyrë në diskutime joformale me Kuvendin. Në të vërtetë, shumë vetë e panë votën pasuese kundër kandidaturave të Presidentit nga ana e Kuvendit, si një votë politike përkundrejt vendimit të Presidentit për të mos hyrë në konsultime”, - vijon Bosch-i në raportin e tij. Ambasadori i OSBE-së citon se çështja u zgjidh pasi Presidenti ngriti një grup ekspertësh për të përcaktuar një paketë kriteresh që duheshin përmbushur nga grupi i kandidatëve të ardhshëm, të cilët më pas u miratuan. “Ngritja e grupit të ekspertëve qetësoi situatën dhe, për këtë, i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide”, - thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›