E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Zyrtarë të korruptuar, në gjendje të lirë

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë ka kërkuar përmes raportit që politika të mos ndërhyjë në hetimin e Gërdecit

TIRANË - Korrupsioni në vendka prekur majat më të larta, edhe pse qeveria trumbeton çdo ditë se lufta kundër këtij fenomeni ka shënuar progres të vazhdueshëm. Raporti i bërë publik nga kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, citon qartë se, megjithëse viti i fundit u shoqërua me një numër zyrtarësh të nivelit të mesëm, të cilët u ndoqën penalisht, zyrtarë të lartë publikë dhe grupe kryesore të krimit të organizuar, mbeten ende “në gjendje të lirë”. Në këtë kuadër, raporti i OSBE-së, u referohet edhe çështjeve të përgjithshme të rendit, përfshirë Policinë e Shtetit. Sipas Ambasadorit, Robert Bosch, arritja më e madhe e qeverisë, ka qenë miratimi i ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Megjithatë, sipas Ambasadorit të OSBE-së, ka pasur shumë raste, sidomos në fushën e emërimeve dhe largimeve, ku vendimet janë marrë nga instanca të larta politike.

Gërdeci

OSBE-ja kërkon që hetimet për tragjedinë e Gërdecit të vijojnë pa ndërhyrjen e politikës. Në raportin e përgatitur, Ambasadori i OSBE-së, kujton se, në muajin Mars të këtij viti, një sërë shpërthimesh në një depo municionesh ushtarake pranë Tiranës (Gërdec) vranë 26 persona dhe lënduan 300 të tjerë, ndërsa u shkatërruan edhe mijëra shtëpi. “Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim të plotë, i cili është në vazhdim. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës. Në korrik të 2008-ës, imuniteti parlamentar i ish-Ministrit të Mbrojtjes u hoq, për t’u hapur rrugë hetimeve mbi rolin e tij. Në përpjekjet për rindërtimin e zonës, qeveria ndërmori masa madhore duke zhvilluar një strategji koherente pas-rindërtim”, - thuhet në raport. Por, sa i përket sigurisë së zonës, OSBE-ja citon kërkesën e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit, të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur.

Viti 2009; objektivat e OSBE-së

TIRANË – OSBE-ja vlerëson se, viti 2009, do të jetë një vit i rëndësishëm në dritën e aspiratave të Shqipërisë për integrimin Euro-Atlantik. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas një sistemi të ri zgjedhor, i cili duhet të rezultojë në mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Prezenca do të thjeshtëzojë më tej strukturën e saj të bashkërendimit të donatorëve dhe projekteve, si dhe do t’i mëshojë më shumë planifikimit strategjik dhe menaxhimit të veprimtarive të saj. Ajo do të mbështesë reformën zgjedhore; do të asistojë Kuvendin në ushtrimin e rolit të tij mbikëqyrës mbi ekzekutivin dhe institucionet e tjera të pavarura; do të forcojë përfshirjen e shoqërisë civile, ku të kërkohet barazia gjinore në politikat e Qeverisë; do të asistojë në kuadrin legjislativ për mediat; do të ndihmojë për rritjen e pavarësisë së mediave, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve institucionale të transmetuesit publik. Mbështetje do të ofrohet edhe për sistemin gjyqësor.

OSBE: Administrata publike, ende e politizuar

TIRANË - Në administratën publike, raporti i OSBE-së vëren se viti i fundit, pa përsëri një rotacion të konsiderueshëm në organikë, duke vazhduar të mbetet problem niveli i përkatësisë partiake, i përdorur në procesin e rekrutimit. “Megjithëse një numër i madh i të larguarve janë ankuar me sukses pranë Komisionit të Shërbimit Civil dhe, më pas i kanë fituar çështjet e tyre në Gjykatën e Apelit, vetëm një numër i vogël rastesh njihen ku individët janë kthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës. Në radhët e policisë, megjithëse shumë prej largimeve mund të kenë qenë të justifikuara, disa nga procedurat e përdorura për largimin e tyre janë parë si jotransparente. Për më tepër, bashkësia kombëtare ka vërejtur se si shuma të mëdha të parave të donatorëve, janë shpenzuar për të trajnuar shumë zyrtarë të policisë, vetëm për të parë më pas se si, këta persona, janë larguar dhe janë zëvendësuar nga njerëz të rinj, të cilët, më pas, duhet të trajnohen nga e para”, - thuhet në raport.

Problemet me pronat kanë penguar investitorët

TIRANË - Raporti i OSBE-së vëren se çështjet e pazgjidhura të pronës, kanë penguar përpjekjet për për të zhvilluar një treg trojesh funksionale dhe kanë frenuar investitorët e huaj. “Boshllëqet në skemën ligjore që rregullon procesin e regjistrimit të parë të pronës, kanë penguar një qasje strategjike për të rregulluar statusin e pronave në Kodin Civil në mënyrë që, Sistemi i Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme (SRPP), të mund të lëshojë tituj pronësie të garantuar. Në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit, mund të bëhet më shumë për të rritur transparencën dhe për të përshpejtuar më tej procesin. Duhet kryer një vlerësim i kërkesave në pritje, të paraqitura pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) dhe procedurat zbatuese duhen përmirësuar për të rritur efikasitetin”, - thuhet në raportin e përgatitur. OSBE-ja rekomandon gjithashtundërmarrjen e një vlerësimi mbi aftësinë e shtetit për të kompensuar ish-pronarët me të holla, pasi, si ish-pronarët, ashtu edhe qeveria, e kuptojnë se shteti nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të kompensuar 100% të Vlerës së Drejtë të Tregut të sotëm, si kompensim për shpronësimet.

Drafti për mediat, ende me mangësi

TIRANË - Në lidhje me reformën në sektorin e mediave, në korrik të 2008-ës, Kuvendi inicioi një projektligj për transmetimet radio-televizive, i cili synonte të unifikonte ligjet ekzistuese, atë për Radion dhe Televizionin Publik e Privat dhe ligjin për Transmetimet Numerike. Gjithsesi, garancitë që projektligji ofron për pavarësinë e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT) dhe të Radio-Televizionit Shqiptar, sipas OSBE-së,duken të pamjaftueshme dhe ka ende një mungesë përparimi në hartimin e një strategjie dixhitale të konsultuar gjerë. Kjo situatë, sipas raportit të OSBE-së,bie në kundërshti me Planin e Veprimit të adoptuar në vitin 2007 me Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës (KE), i cili parashikon miratimin e një ligji të ri për transmetimet përmes një procesi transparent.  

OSBE-ja shprehet se mbetet për t’u parë nëse projekt-propozimi i përfshirë në Kod për gratë, do të zbatohet në praktikë

“Reforma zgjedhore, procesi po ecën ngadalë”

TIRANË - Prezenca e OSBE-së në Tiranë vëren se, reforma zgjedhore, ka shënuarnjë farë përparimi gjatë vitit të fundit. OSBE-ja kujton se, megjithëse procesi u zhvillua në mënyrë tejet të zvarritur nga shtatori i 2007-ës deri në prill të 2008-ës, Kuvendi, më në fund, miratoi një sistem të ri zgjedhor. Qershori i 2008-ës u shoqërua me ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të tretë, këtë herë për të hartuar një kod të ri zgjedhor. Megjithëse, aktorët kyç kanë shpallur në mënyrë të përsëritur vullnetin e tyre politik për të rënë dakord për një Kod Zgjedhor brenda korrikut të 2008-ës, Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, përmes raportit të përgatitur, vëren se, deri më sot, procesi ka vazhduar i ngadaltë, në pritje të miratimit përfundimtar nga ana e Kuvendit në tetor. “Duhet kërkuar konsensusi më i gjerë i mundshëm dhe, paketa për të cilën do të bihet përfundimisht dakord, duhet të lejojë kohë të mjaftueshme për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve”, - thuhet në raport. Ambasadori i OSBE-së kujton në raportin e bërë publik para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së se, Kuvendi miratoi edhe disa ndryshime në Kushtetutë. Amendamentet përfshinin ndryshime në sistemin zgjedhor, mbledhjen e parë të Parlamentit të ri, heqjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Kushtetuta,mocionet e besimit për Kryeministrin, etj. Megjithëse amendamentet u miratuan në mënyrë legjitime me një shumicë tri të pestat, Ambasadori i OSBE-së, vëren se disa nga ndryshimet shkaktuan shqetësime në lidhje me ndarjen e pushteteve. Sa i përket reformës për barazinë gjinore, OSBE-ja thekson se mbetet ende shumë punë për të bërë. “Duket se ka një farë optimizmi se Kodi Zgjedhor do të promovojë një përfaqësim më të barabartë (në projekt-propozimet më të fundit është propozuar një kuotë gjinore prej 30%. Mbetet për t’u parë nëse ky propozim, në formën e tij aktuale, do të konvertohet konkretisht në më shumë mandate parlamentare për gratë). Pritet gjithashtu që ligji i miratuar së fundmi për Barazinë Gjinore (korrik 2008) të zbatohet plotësisht, me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje, duke vepruar si një vegël e fuqishme në këtë drejtim”, - thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›