E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Shkodër, goditet banda e vjedhjes së makinave

Arrestohen dy vetë, në kërkim dy të tjerë. Akuzohen për vjedhje “Benz”-ash në kryeqytet dhe shitjen e tyre për pjesë në Shkodër

TIRANË- Policia e Tiranës shkatërron një grup që merrej me vjedhje automjetesh. Pasditen e djeshme, policia e komisariatit nr.1 dhe nr.4, në bashkëpunim me seksionin kundër vjedhjeve të automjeteve, organizuan operacionin e koduar “Mjegulla e natës”, i cili u finalizua me arrestimin e dy personave të akuzuar për vjedhje automjetesh. Mariglen Aliko, 27 vjeç, dhe Gëzim Vajushi, 47 vjeç, janë dy të arrestuarit të cilët dyshohet se ishin aktivizuar për të vjedhur e më pas shitur disa automjete të qytetarëve të ndryshëm. Aktiviteti i tyre shtrihej në Tiranë e Shkodër. Burime nga policia thanë se janë dokumentuar vjedhjet e dy automjeteve tip-Benz, ndërsa po hetohet për raste të tjera.

Hetimi

Rreth 10 ditë më parë, një qytetar denoncoi në polici vjedhjen e automjetit të tij “Benz” me targa TR 3235 D. Katër ditë më pas, policia regjistroi një tjetër denoncim nga një qytetar i cili tregoi se i kishin vjedhur automjetin me targaTR 0491 G. Për të dyja vjedhjet, policia nisi hetimet paralelisht me vjedhje të tjera automjetesh të ndodhura në vende dhe kohë të ndryshme në kryeqytet. Burime nga policia thanë se specialistët e seksionit të kundër vjedhjeve të automjeteve, nisën hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e vjedhjes së këtyre makinave. Në bazë të hetimeve, policia zbuloi se Mariglen Aliko dhe dy persona të tjerë bënin të mundur sigurimin e makinave kryesisht tip “Benz” dhe më pas ia dorëzonin 47-vjeçarit Gëzim Vajushi. Ky i fundit i transportonte automjetet e vjedhura në Shkodër dhe kryente çmontimin e tyre në banesën e tij, për t’i shitur më pas për pjesë këmbimi.

Operacioni

Aktiviteti i këtij grupi duket se ka përfunduar ditën e djeshme me arrestimin e dy prej autorëve, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim nga policia. Kjo e fundit organizoi një operacion për kapjen e personave të dyshuar ndaj të cilëve policia kishte siguruar prova për implikimin e tyre në të paktën dy vjedhje automjetesh. Automjetit tip-Benz, me targa TR 3235 D dhe automjeti tip-Benz, me targa TR 0491 G janë vjedhur nga Mariglen Aliko e Gëzim Vajushi. Policia dyshon se ata janë autorët e vjedhjeve të disa automjeteve në kryeqytet, por një gjë e tillë do të verifikohet gjatë hetimeve. Ndërkohë që në deklaratën e tyre dhënë para oficerëve të policisë dy të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën duke mohuar faktin se janë hajdutë makinash, por policia shtoi se provat tregojnë të kundërtën. Burime nga policia thanë se dy të arrestuarit kanë qenë të dënuar edhe më parë për vjedhje automjetesh. Ata akuzohen për veprën penale të “vjedhjes”, ndërsa policia bëri të ditur se po vazhdon punën për kapjen e dy personave të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›