E Diel, 1 Nëntor 2026

Damo e Xhema, grinden për fadromat greke

08/02/2005  Kryebashkiaku denoncon hyrjen pa leje dhe me simbolet të huaja

KORÇË - Ardhja e 8 mjeteve të rënda borëpastruese nga Kosturi, për Qarkun e Korçës, ka qenë shkaku i konfliktit ndërmjet kryetarit të Bashkisë së Korçës, Robert Damo dhe kryetarit të Këshillit të Qarkut, Fehmi Xhemo, në mbledhjen e këshillit bashkiak të zhvilluar dje.

Sipas Damos, përpara se këto mjete të qarkullonin në qytet duhej të merrej një autorizim nga Bashkia.

“Këto mjet jo vetëm që kanë hyrë dhe kanë qëndruar në qendër të qytetit por kanë bërë edhe një paradë me flamuj grekë. Ky veprim është një provokim i hapur për këtë institucion nga ana e Këshillit të Qarkut. Unë si kryetar Bashkie protestoj fuqishëm, pasi këto mjete ishin të destinuara nëpër komuna dhe duhej të qëndronin në unazën e qytetit, jo përpara institucionit tuaj”, u shpreh Damo.

Përballë akuzave të Damos, ka reaguar kryetari i Këshillit të Qarkut, Fehmi Xhemo,i cili ka pranuar futjen e mjeteve pa autorizim në qytet, duke e justifikuar me mungesë kohe për marrjen e një leje të tillë.

“Situata ishte mjaft urgjente dhe nuk premtonte koha për marrjen e autorizimit nga Bashkia. Këtu nuk bëhet fjalë për demonstrim dhe natyrshëm që këto mjete të rënda do mbanin simbolin e shtetit që i përkisnin. Në qoftë se bëhet fjalë për të shitur doza patriotizmi, ju siguroj se të gjithë jemi patriotë, por duhet të respektojmë edhe fqinjët tanë, pasi ata erdhën për të na ndihmuar në një moment nevoje”, reagoi Xhemo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›