Danaj: “Qeveria të mos tregohet e heshtur ndaj dhunës në familje”
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Partia Socialiste dhe Forumi i Gruas Socialiste kërkojnë nga qeveria që të mos trajtojë me indiferencë fenomenin e dhunës në familje dhe veçanërisht ndaj grave. Koordinatorja Kombëtare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste, Ermira Danaj, tha se qeveria dështoi në realizimin e angazhimit të saj për të luftuar këtë vit dhunën në familje. “Viti 2008 ishte shpallur nga qeveria si viti i luftës kundër dhunës në familje. Por nuk ndodhi aspak kështu dhe të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë të rasteve të shumta të dhunës dhe krimit ku viktimat kryesore kanë qenë gratë dhe vajzat shqiptare. Jo vetëm kaq, por edhe në analizën më të rëndësishme të qeverisë nuk u përmend as edhe një fjalë e vetme për këtë heshtje”, - tha Danaj. Në emër të Partisë Socialiste dhe të Forumit të Gruas së PS-së ajo i bëri thirrje qeverisë që të punojë konkretisht në parandalimin e këtij fenomeni. “Për këtë arsye ne i bëjmë përsëri thirrje qeverisë të mos tregohet e shurdhët dhe e heshtur ndaj dhunës në familje, por të punojë për parandalimin e dënimin këtij fenomeni, që po kthehet sot në plagën më të rëndë të shoqërisë. Partia Socialiste dhe Forumi i Gruas Socialiste, shprehin edhe njëherë shqetësimin e thellë dhe angazhimin e plotë qytetar për luftën kundër çdo lloj dhune dhe diskriminimi gjinor”, - tha Danaj.
26 Nentor 2008